Dega e LDK-së në Ferizaj mbështet kandidimin e Isa Mustafës për kryeministër

Kosova

Dega e LDK-së në Ferizaj mbështet kandidimin e Isa Mustafës për kryeministër

Më: 22 nëntor 2014 Në ora: 21:08

Dega e LDK-së në Ferizaj në mbledhjen me kryetarë të nëndegëve të shtunën, i dha mbështetje koalicionit të lidhur me PDK-në dhe mbështet zgjedhjen e Isa Mustafës, kryeministër, thuhet në njoftimin e kësaj dege.
“Lidhja Demokratike e Kosovës në Ferizaj, po analizon me kujdes zhvillimet e fundit politike në shkallë vendi, pas marrëveshjes në parim të udhëheqjes së saj për bashkëqeverisje me Partinë Demokratike të Kosovës. Duke marrë parasysh kompleksitetin e situatës aktuale politike në vend, e sidomos trashëgiminë e zhvillimeve në pesë muajt e fundit, Lidhja Demokratike e Kosovës në Ferizaj, konstaton se veprimi i udhëheqjes së partisë në shkallë vendi, ka sjellë vendim të arsyeshëm për bashkëqeverisje, si një zgjidhje më e mirë e mundur në rrethanat aktuale.
LDK e Ferizajt konsideron se pas krizës pesëmujore politike dhe pas përpjekjeve të gjata të LDK-së dhe partnerëve të tjerë të koalicionit paszgjedhor, korniza e ofruar nga Gjykata Kushtetuese dhe rrjedha e zhvillimeve, nuk po mundësonin perspektivë të qartë për ndërtimin e institucioneve. Ndërsa futja e vendit në zgjedhje të reja, nuk konsiderohej nga askush si zgjidhje premtuese. Së këndejmi, mungesa e rrugëdaljes politike për të ndërtuar institucionet, po e dëmtonte gjithanshëm vendin, duke shkaktuar stagnim ekonomik, letargji qeverisëse, paqartësi të perspektivës së proceseve integruese evropiane, zhgënjimin e qytetarëve, humbjen e shpresës e të besimit për të ardhmen. Prandaj edhe më tej po rritet në mënyrë dramatike numri i qytetarëve që mësyjnë për të dalë jashtë vendit.
LDK e Ferizajt konsideron se në një situatë të tillë bllokade, udhëheqja e Lidhjes Demokratike të Kosovës vendosi për bashkëqeverisje me PDK-në, jo si një zgjidhje ideale, por si një alternativë më të gjetur për rrethanat e krijuara, për të ndërprerë stagnimin e paperspektivën, si fillim i zhbllokimit dhe i përpjekjeve që do të mund të sillnin vendosjen e institucioneve kyçe të vendit në funksione normale.
LDK e Ferizajt konsideron se udhëheqja më e lartë e partisë bëri një zgjedhje të vështirë në një kohë të vështirë, e cila, si e tillë, mund të shihet nga këndvështrime të ndryshme e të nxirren përparësitë dhe mangësitë e saj.
LDK e Ferizajt është e bindur se udhëheqja e partisë bëri zgjedhjen që tregon vetëdijen e lartë shtetndërtuese, e cila mbisundon interesat tjera, në këtë rast më pak të rëndësishme, duke mundësuar vazhdimësinë e konsolidimit të shtetit të Kosovës dhe institucioneve të tij, si parakusht themelor për funksionimin e aspekteve zhvillimore.
Zvarritja e mëtejshme e vazhdimësisë së konsolidimit të shtetit dhe e formimit të institucioneve, është vlerësuar nga LDK si dëm më i madh që do të mund t’u shkaktohej qytetarëve të Kosovës, se sa vetë përbërja e garniturave qeverisëse. LDK e Ferizajt është e vetëdijshme se vendimet e vështira, në mjaft raste sjellin edhe huti, lëkundje e, madje, edhe kundërshtime. Ato trazojnë ndërgjegjen, duke sfiduar ndonjëherë besnikërinë, devotshmërinë dhe bindjet e një pjese të anëtarësisë së partisë. Por pas fazës së tronditjes, pason kthjellimi, matja me kutin e arsyes dhe shikimi më i qartë i asaj që ka ndodhur, duke peshuar më esëll rrjedhojat e rrugëtimit të ri.
LDK tashmë ka një histori ndarjesh, kundërshtimesh dhe përçarjesh të brendshme, për të cilat u deshën rreth 8 vite që të sanoheshin pjesërisht dhe beson se askush nuk e dëshiron përsëritjen e kësaj historie.
Së këndejmi, LDK e Ferizajt konsideron se kemi hyrë në një fazë të re të qeverisjes e shtetndërtimit, kur na duhet mobilizimi, energji të reja dhe mbështetja e gjithanshme, për të çuar përpara proceset shtetndërtuese, si parakusht të perspektivës zhvillimore ekonomike. LDK e Ferizajt beson se rrugëtimi i ri i sapofilluar i kësaj partie, është në shtegun e duhur, në të mirë të interesave të shtetit të Kosovës dhe të qytetarëve të saj, duke marrë parasysh rrjedhat e gjithëmbarshme në vendin tonë gjatë këtyre 5-6 muajve të fundit. Nuk është fillim ideal, por më i qëlluari për kohën.
LDK e Ferizajt është e bindur në mbështetjen dhe në kontributin e pazëvendësueshëm të miqve ndërkombëtarë për kursin e filluar. Kjo mbështetje dhe ky kontribut e përforcon bindjen tonë se kemi lëvizur në drejtimin e duhur.
LDK e Ferizajt i bën thirrje anëtarësisë dhe simpatizantëve të vet, që sa më parë të reflektojnë esëll për situatën e re, të kujtojnë pasojat e historisë disavjeçare të ndarjeve e përçarjeve në parti gjatë dhjetëvjetëshit të fundit dhe të nxjerrin mësime të vlefshme për unitetin e LDK-së. E kundërta, do të sillte pasoja edhe më të rënda se ato që kemi përjetuar para shtatë-tetë vitesh e këndej, duke e margjinalizuar partinë dhe rolin e saj në shtetndërtimin e Kosovës. LDK mirëpret zërat e arsyeshëm, që janë të prirur për të parë vetëm defektet, mangësitë dhe vështirësitë e rrugëtimit të ri të partisë. Por i fton këta zëra që të shohin edhe përparësitë dhe përfitimet e shtetit të Kosovës nga një qeverisje stabile, e udhëhequr nga intelektualë të dëshmuar e me përgatitje në shkallë akademie”, thuhet në komunikatë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat