Qindra banorë të Ferizajt ikin nga Kosova (Video)

Kosova

Qindra banorë të Ferizajt ikin nga Kosova (Video)

Më: 22 nëntor 2014 Në ora: 20:44

Gjatë 48 orëve të fundit qindra banorë të Ferizajt janë larguar nga Kosova, duke marrë fillimisht rrugën për Hungari, përmes Serbisë, raporton portali lokal nga ky qytet.
Qindra qytetarë mblidhen afër një pompe benzene në magjistralen Ferizaj Prishtinë dhe aty futen nëpër autobuse dhe marrin rrugën për Bashkimin Evropian.
Raporti thotë se të gjithë këta kosovarë paguajnë shifra shumë të mëdha që të shkojnë fillimisht në Bujanoc, Beograd e Suboticë e më pas të arrijnë deri në Horgosh të Hungarisë.
“Për të arritur deri këtu shumica prej këtyre qytetarëve bëjnë shpenzime të jashtëzakonshme duke shitur shtëpitë e tyre, duke hyrë në borgje të thella e duke marrë kredi nga banka të ndryshme. Kështu ata pasi braktisin vendlindjen dhe familjarët e tyre me pretekstin se po ikin nga këtu për të gjetur një jetë më të mirë diku tjetër, marrin rrugëtim drejt një destinacioni pa emër, drejtim këtë të cilin vetë ata e konsiderojnë si përfundimtarin e udhëtimit të tyre”, shkruan ferizajpress.com

Mirëpo ka edhe nga ata të cilët në një mënyrë nuk arrijnë ta shijojnë ndjenjën e të qenit viktimë e fatit pasi që ka raste kur ata nuk janë në gjendje të paguajnë për shpenzime të tjera shtesë për shkak se shpeshëherë ndodh që të bien pre e grackave të individëve të pandërgjegjshëm të cilët përfitojnë materialisht nga këto raste duke mos mbajtur përgjegjësitë e tyre deri në fund të rrugës së nisur, që nënkupton se edhe dalin të dëmtuar edhe pafundësisht të zhgënjyer.
Ndërsa nuk përjashtohen edhe rastet më ekstreme kur gjatë përpjekjeve për të kaluar ilegalisht zonën kufitare të shtetit të Hungarisë, qytetarë të shumtë bien në duart e autoriteteve doganore dhe policore hungareze më pas detyrohen të vuajnë edhe dënime me burg për kohë të caktuar e përfundimisht pastaj duke u kthyer prapë në vendlindjet e tyre.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat