Haradinaj: U tradhtua shpresa e qytetarëve

Kosova

Haradinaj: U tradhtua shpresa e qytetarëve

Më: 21 nëntor 2014 Në ora: 15:30

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka qëndruar sot në qytetin e Gjakovës, si dhe ka takuar qytetarët dhe strukturat e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Dega në Gjakovë.
Sipas një njoftimi të AAK-së, kryetari Haradinaj ndër të tjera theksoj se Kosova sot gjendet para sfidave të mëdha, jo vetëm nga gjendja që e la qeveria e kaluar por edhe që u bashkuan e liga dhe e keqja, jo për të ndryshuar gjendjen por për të thelluar të keqen dhe zhgënjimin e qytetarëve.

“Më shumë se koalicioni paszgjedhor u tradhtua shpresa e qytetarëve të Kosovës për një shtet ligjor, për një shtet pa korrupsion, pa krim të organizuar dhe për një zhvillim ekonomik. Të dëshpëruar mbeten edhe ata që votuan për një qeverisje tjetër nga i gjithë spektri politik në Kosovë, por ne si parti dhe si qytetar nuk duhet të pajtohemi me të keqen, por të mobilizohemi për shtetin tonë që ta mundim këtë të keqe dhe t’i japim shpresë Kosovës si shtet të pavarur”, citohet të ketë thënë Haradinaj.

Sipas tij, të gjithë bashkë duhet të punojmë që institucionet e varura në shtetin e pavarur të mos mbesin të tilla dhe të mos janë pengesa e zhvillimit dhe e mirëqenies sonë të përbashkët të rendit dhe ligjit,si dhe integrime euro-atlantike.

“Unë besoj se qytetarët nuk do të lejojnë që dikush të iu mbys shpresën e sotme dhe të ardhmen për një Kosovë të dinjitetshme të sigurt, të zhvilluar dhe integruese”, përfundohet në njoftimin e AAK-së, dega Gjakovë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat