Jakup Krasniqi pret të dështojë marrëveshja PDK-LDK

Kosova

Jakup Krasniqi pret të dështojë marrëveshja PDK-LDK

Më: 21 nëntor 2014 Në ora: 15:05

Kryetari i Këshillit Kombëtar i “Nisma për Kosovën”, njëherësh deputet i zgjedhur i kësaj partie, Jakup Krasniqi, në emisionin “Info-Box” të Radio Dukagjinit, ka theksuar se gjatë gjithë këtyre muajve janë përpjekur, si Blloku VLAN, që Kosovës t’i japin një qeverisje që do të angazhohej seriozisht në zhvillimin e shtetit të së drejtës.
Mirëpo sipas tij, ndodhi një veprim i papritur i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), e cila vendosi që të bashkohet me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), për ta ndërtuar qeverinë e re.

Ai më tutje ka shtuar se “Nisma” nuk mund të jetë pjesë e koalicionit PDK- LDK, duke shtuar se ata mendojnë se Kosovës i duhet një opozitë e fuqishme, dhe “në këtë konstelacion të forcave politike në Kuvend, do të jenë pjesë e opozitës”.

“Ne jemi duke biseduar me dy partitë tjera, AAK dhe VV, që me fillimin e punës në Kuvend t’i kapërcejmë interesat partiake, duke i bashkërenduar qëndrimet, për të dhënë kontributin si opozitë në të mirën e vendit”, ka theksuar Krasniqi.

Krasniqi ka deklaruar se “nuk e kanë pritur nga LDK-ja që të shkoj me PDK-në, sepse gjatë gjithë këtyre viteve LDK-ja ka qenë kundërshtare e PDK-së, duke shtuar se “lakmia për pushtet qenka më e madhe sesa interesi i vendit”.

Sipas tij, në ditën e dytë, të marrëveshjes PDK-LDK, kanë lindur shumë kontradikta.

“Për një marrëveshje të arritur në mënyrë të papritur, sikurse kjo, është e vështirë të thuhet se a do të realizohet ky koalicion. Nga ajo që po flitet duket se ka shumë paqartësi në këtë marrëveshje. Në një skenë politike pa rregulla dhe parime, gjithçka është e mundur, duke përfshirë edhe atë se mund të dështojë marrëveshja e arritur në mes PDK-së dhe LDK-së”, ka thënë ndër tjerash Jakup Krasniqi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat