Fatos Bytyçi në Beograd në kërkim të vrasësit të tre vëllezërve

Kosova

Fatos Bytyçi në Beograd në kërkim të vrasësit të tre vëllezërve

Më: 21 nëntor 2014 Në ora: 12:24

Fatos Bytyçi, i vëllai i Yll, Agron dhe Mehmet Bytyçi, të cilët u vranë në vitin 1999 në Petrovo Sello në Serbi, ditëve të fundit qëndroi në Beograd, ku u takua me përfaqësuesit e autoriteteteve dhe bisedoi për zgjidhjen e këtij krimi.

Fatos Bytyçi dje ka biseduar në Beograd me kryeministrin Aleksandar Vuçiq dhe me prokurorin e krimeve të luftës Vladimir Vukçeviq për zgjidhjen e këtij rasti të krimit që ndodhi para më se 15 vjetësh.

Fatosi, i cili është shtetas amerikan disa here ka shkuar në Beograd dhe ka biseduar me përfaqësuesit e autoriteteve të ndryshme në Serbi, herën e fundit me kryeministrin dhe zv/kryeministrin e atëhershëm Ivica Daçiq dhe Aleksandar Vuçiq. Siç tha për “Zërin e Amerikës”, edhe ajo bisedë përfundoi si edhe të gjitha të mëparshmet – me premtime që nuk u përmbushën:

“Ata vazhdimisht flasin. Prokuroria flet një gjë, MUP diçka tjetër, kryeministri diçka të tretë. Ivica Daçiq në atë kohë vetëm i premtonte qeverisë sonë dhe familjes sime. Asgjë në lidhje me kriminelët e luftës nuk bënë”.
Fatos Bytyçi si të dyshuar kryesor për vrasjen e tre vëllezërve të tij thekson komandantin e Xhandarmërisë, sot anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të SNS (parti që drejtohet nga A.Vuçiq), Goran Radisavleviq Guri. Siç konsideron Bytyçi, Radisavleviqin e mbron kreu i politikës dhe ia del t’i shmanget drejtësisë tash e 15 vjet.

“Shumë njerëz më pyesin përse Guri? Guri është çelës i rastint tonë. Vendi I tij është në burg. Dhe nuk besoj se aurotitetet në Serbi do të lejojnë që të kenë edhe më shumë presion nga SHBA-ja për shkak të një krimineli të luftës”.
Në bisedë me “Zërin e Amerikës”, e që e transmeton QIK-u, shërbimin në gjuhën serbe, Fatos Bytyçi shpreh dyshimin edhe për procedurën e cila deri më tash është ndjekur në Serbi për vrasjen e vëllezërve të tij. Siç thotë ekzistojnë dëshmitarë në këtë rast, por ata pas kërcënimeve serioze që të cilat u ishin drejtuar, janë frikësuar për jetën e tyre dhe të familjarëve të tyre.

“Kemi një dëshmitar të gjallë. Ka parë sesi i kanë vrarë vëllezërit e mi. Ka parë, dhe të gjitha i di, por nuk mund t’i besojë shtetit të vet. Punon për shtetin dhe nuk i beson shtetit të vet. Atëherë, si unë t’u besoj”?
Fatos Bytyçi shpreh qëndrimin se Prokuroria për Krime të Luftës, thënë më së buti, nuk është pjekur për të zgjidhur rastin e vrasjes së vëllezërve Bytyçi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat