Kush kryeministër?

Kosova

Kush kryeministër?

Më: 21 nëntor 2014 Në ora: 00:22

Edhe pse është arritur marrëveshja për koalicionin PDK -LDK ende nuk është qartësuar se kush do të jetë kryeministri i ardhshëm i vendit. Përfaqësues të LDK-së kanë deklaruar se posti i kryeministrit do t’i takoj zotit Isa Mustafa, PDK edhe nuk ka dhënë një qëndrim të saj lidhur me postin e kryeministrit dhe me postet e tjera në ekzekutivin e ardhshëm.
Deputeti i PDK-së, Rrustem Mustafa-Remi, në emisionin “Clic”, të RTV 21, ka thënë se ka javë që të gjithë e kanë ditur se kjo marrëveshje do të arrihet.

Ai thotë se ende nuk e di se kush do të jetë kryeministër i ardhshëm i Kosovës.

“Unë po ju them se personalisht vi nga mesi i atyre njerëzve që kam mbajtur kontakte të vazhdueshme edhe para 8 qershorit por, edhe mbas zgjedhjeve dhe kontaktet kanë qenë të përditshme. Por, javëve të fundit të gjithë liderët e kanë ditur kahjen se kah po shkon kjo situatë. Për njerëzit që merren me vendimmarrje në vendin tonë dhe me njerëzit që na përcjellin neve të cilët dëshirojnë që ne të ecim në Evropë, ta dini se nuk ka qenë marrëveshje e arritur e rastit”,ka deklaruar Remi.

Ndërsa vetë Rrustem Mustafa – Remi, ka qenë i pari ai i cili e ka përmendur një koalicion të tillë dhe që në çdo kohë ka insistuar që ky koalicion të jetësohet. Remi ka thënë se arsyeja pse ka dhënë këtë qëndrim është se, të gjitha rrugët kanë çuar në një koalicion të tillë.

“Ka qenë i ditur dhe i pritur një koalicion i tillë ngase kanë pamundësuar numrat e deputetëve që të ketë një koalicion i tretë. Nevojat e vendit në kohën që po jetojmë janë për një koalicion të madh i cili tash po ndodhë. Synimet kanë qenë të politik bërësve serioz por, edhe të pretenduesve të mëdhenj për me e dërgu Kosovën drejt rrugës së Evropës. Këto dy subjekte janë më të mëdha dhe kanë çka i japin Kosovës. Të gjitha këto fakte mua më kanë bërë që të besoj në idenë e krijimit të këtij koalicionit të madh dhe tash vetëm e kemi jetësuar një koalicion të madh. Ne kemi nevojë për një qeverisje me kredibilitet të madh me kompetencë për me e lëvizë vendin nga kjo gjendje që është”, ka thënë ai.

Mirëpo, edhe pse Remi ka qenë i pari ai që e ka ditur se ky koalicion do të jetësohet, ai ende nuk e di se kush do të jetë kryeministër i ardhshëm i Kosovës.

Sipas tij, nuk janë me rëndësi emrat por, e rëndësishme është që u arrit koalicioni.

“Ne jemi para një momenti të ri që nga dje kur u formalizua marrëveshja. Kemi një marrëveshje bazë ku PDK dhe LDK do të shkoj në koalicion. Ky koalicion do të jetë i barabartë në bazë të fuqive që i kanë. Grupet punuese nga nesër do të fillojnë punën dhe asgjë tjetër nuk ka të saktësuar. Unë shpresoj që të ketë probleme gjatë rrugës të cilat nuk do të mund të tejkalohen. Kemi shumë sfida për të bërë dhe shumë pak e rëndësishme është se kush do të jetë kryeministër apo shumë pak rëndësi kanë emrat”, ka deklaruar tutje Remi.

Por, analistët u shprehën të habitur se si ka mundur të arrihet ky koalicion pasi që, sipas tyre, vetë Isa Mustafa dhe përfaqësues të tjerë të LDK-së në mënyrë kategorike kanë qenë kundër qeverisjes me PDK-në.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat