Gjykimi i Grupit “Drenica”, “Dëshmitari I” tregon pse ndërroi deklaratën

Kosova

Gjykimi i Grupit “Drenica”, “Dëshmitari I” tregon pse ndërroi deklaratën

Më: 20 nëntor 2014 Në ora: 19:58

“Dëshmitari I” që në gjykimin e “Grupit Drenica” foli ndryshe nga deklarata e dhënë më 15 qershor 2012 para hetuesve të EULEX-it, tha se nuk ka marrë para për ndryshimin e fjalëve.

Prokurori e pyeti dëshmitarin se a i ka ofruar dikush atij direkt, ose familjes së tij diçka në këmbim të ndryshimit të deklaratës.

“Jo, nuk më ka ofru kurrkush”, tha dëshmitari.

Prokurori pastaj u bë edhe më konkret. I tha dëshmitarit se a ju ka ofruar diçka, ose a ju ka dërguar ndonjë mesazh përmes ndokujt Sylejman Selimi që të ndërroni fjalët.

“I-ja” u përgjigj shkurt “Jo”.

Të njëjtën pyetje prokurori ia shtroi dëshmitarit edhe për Sahit Jasharin. Mori përgjigjen e njëjtë mohuese.

Prokurori pas kësaj përgjigjeje përfundoi pyetjet për të koduarin me shkronjën I.

Pastaj kryetari i trupit gjykues Darius Silicki, e pyeti dëshmitarin se kur e ka kuptuar ai se deklarata i është ndryshuar nga ish-prokurori dhe a e ka ditur se çfarë po nënshkruan më 15 qershor 2012.

“Kur ma kanë pru hetuesit e policisë deklaratën me nënshkru, më kanë thënë se a po do me ta lexu paraprakisht, po ju kam thënë nuk ka nevojë, sepse kam pasur besim të madh në Salustron”, tha dëshmitari.

Gjyqtari Silicki e pyeti “Dëshmitarin I” se kur humbi besimin në ish-prokurorin.

“Në momentin kur u takuam një herë në Fushë-Kosovë dhe më ka treguar se kam me qenë dëshmitar, ma ka lavdëruar deklaratën, unë atëherë e kam kuptu se janë shtu shumë sene në të”, tha dëshmitari.

Kur as Silicki nuk pati pyetje për dëshmitarin,” I-ja” përfundoi dëshminë.

Pastaj Silicki kërkoi mendimin e palëve për dëshminë e mjekes rumune që ka njohuri për lëndimet e dëshmitarëve të këtij procesi në qendrën ndalimit në Likovc.

Konsultimi me të tjerët në këtë proces gjyqësor Silickit iu desh për atë se Rumania ende nuk e ka pranuar pavarësinë e Kosovës, ndërsa mjekja nga ky vend tash për tash e ka të pamundur dëshmimin me anë të video-lidhjes.

Gregory Guy Smith, avokat i Sylejman Selimit tha se mjekja nuk ka çfarë të ofrojë përmes video-lidhjes, ndërsa e kontestoi edhe ardhjen e saj, duke përmendur rastin e 10 shkurtit 2007, kur policët rumunë dyshohen se vranë 2 protestues të “Vetëvendosjes”, duke u larguar pastaj nga Kosova.

Gjyqtari Silicki në fund tha se dëshmia e rumunes mund të jepet vetëm pas 1 janarit 2015.

Seanca e radhës së “grupit Drenica” u caktua për 3 dhjetor.

12:02

“Dëshmitari I” Tregon Pse Ndërroi Deklaratën

Në seancën kundër “Grupit Drenica” “Dëshmitari I” i dha prokurorit Michalczuk arsyen pse fjalët e tij të thëna në gjykatë janë të ndryshme nga deklarata e tij e dhënë para dy vjetësh në Prokurorinë e EULEX-it. Tha se pjesë të asaj deklarate i ka shkruar ish-prokurori Salustro.

Edhe në seancën e sotme prokurori filloi ballafaqimin e dëshmitarit me deklaratën e tij të dhënë në qershorin e 2012-ës, duke e pyetur se pse kjo që tash po e thotë në gjykatë, po dallon nga ajo deklaratë.

“Ato çka ti po i thu i ka shkru Salustro, nuk i kam shkru unë”, u arsyetua dëshmitari për ndërrimin e deklaratës.

Ish-prokurori Salustro ngriti aktakuzën për krime lufte kundër “Grupit Drenica”.

Prokurori Michalczuk e pyeti pastaj dëshmitarin se a ishin të armatosur ushtarët në qendrën e ndalimit dhe a ruhej prej tyre kjo qendër.

“Ka pasë shumë ushtarë, kanë ky e kanë dalë non-stop, nuk i kam njeh sa janë kanë”, tha dëshmitari.

Prokurori kërkoi të dijë planin e objektit ku mbaheshin të ndaluarit nga UÇK-ja në Likovc.

“Për çfarë plani po menon, unë nuk kam shku me marrë plan atje”, u përgjigj dëshmitari.

Pas një pauze prej 10 minutash seanca pritet të vazhdojë deri në pushimin e drekës në orën 12 e 30./KALLXO.com/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat