Kush po i frikësohet më shumë “ndërhyrjes ndërkombëtare” pas datës 8 Nëntor- Blloku apo PDK?

Kosova

Kush po i frikësohet më shumë “ndërhyrjes ndërkombëtare” pas datës 8 Nëntor- Blloku apo PDK?

Më: 1 nëntor 2014 Në ora: 09:15

Koalicioni LDK- AAK- Nisma dhe Vetëvendosje nuk është duke funksionuar ashtu sikurse ishte në fillim. Stërzgjatja e krizës politike dhe vendimi i dytë i Gjykatës Kushtetuese ka bërë që Blloku LVAN të mendojë rrugë të tjera për të ardhur deri te formimi i qeverisë.

Burime të Gazetës Blic brenda Bllokut kanë thënë se, duke e parë krizën në të cilën është futur vendi dhe sjelljen bllokuese të PDK-së, Flora Brovinës dhe presidentes Jahjaga, si dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese, kanë filluar që të mendojnë opsine të tjera për të ardhur deri te formimi i qeverisë.

Opsion i vetëm, votimi i kandidatit të PDK-së?

“Tashmë nuk na ka mbetur rrugë tjetër pos që PDK-së t’ia votojmë kandidatin e saj për kryetar të Kuvendit, në mënyrë që pastaj ne ta formojmë qeverinë”, tha ky burim.

Kundër kësaj ideje është Lëvizja Vetëvendosje.

Nënkryetari i VV-së, Shpend Ahmeti ka thënë se edhe nëse Blloku LAN do ta votoj kandidatin e PDK-së për kryetar të Kuvendit, këtë nuk do ta bëjë Vetëvendosje. Madje, sipas tij, kjo lëvizje nuk do të marrë pjesë as në takimin eventual të përbashkët të organizuar nga e presidentes së vendit, Atifete Jahjaga.

Burime të Gaztës Blic brenda Bllokut kanë thënë se nëse LVAN do ta humb pozitën e kryetarit të Kuvendit, pozitë për të cilën ishte përgatitur lideri i LDK-së, Isa Mustafa, atëherë do të jetë problem sistemimi i tij dhe shpërthimi i pakënaqësisë në LDK.

“Ka propozimë që të Ramush Haradinajt t’i jepet pozita e zëvendësit të parë të kryeministrit. Mirëpo, në takimet e liderëve ende nuk është diskutuar një opsion i tillë”, ka thënë ky burim.

Në anën tjetër, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa në orët e pasditës së djeshme ka garantuar se do të implementohet e plotë marrëveshja e LVAN-it. Në një postim në Facebook, Mustafa ka shkruar se “për Lidhjen Demokratike të Kosovës është me rëndësi themelore jetësimi i marrëveshjes me AAK-në, Nismën dhe Vetëvendosjen”.

Mirëpo, burime të Gazetës Blic kanë thënë se Isa Mustafa ka shprehur haptas ambicien e tij për të qenë kryeministër nëse dështon posti i kryetarit të Kuvendit. “Isa Mustafa është pajtohet që kryeministër të mos jetë edhe gjatë tërë mandatit, por për të në këto momente është shumë me rëndësi që të jetë në atë pozitë”, tha ky burim.

Mundësinë e rikonfigurimit të marrëveshjes nuk e ka përjashtuar as anëtari i LDK-së, Bajram Gecaj. “Çfarëdo ndryshimi të marrëveshjes fillestare do të kërkonte negociata në mes partnerëve të Koalicionit të Madh si dhe diskutim dhe aprovim të ndonjë pozite të re të mundshme nga organet partiake të Lidhjes Demokratike të Kosovës”, i ka thënë ai Gazetës Blic.

Në anën tjetër, në AAK vazhdojnë të thonë se marrëveshja nuk do të ndryshohet.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë pas mbledhjes së Kryesisë së AAK-së se marrëveshja ndërmjet LVAN-it duhet të implementohet në tërësi.

Frika nga 8 nëntori

Ndërkohë, dhënia e afatit deri më 8 nëntor nga ndërkombëtarët për zgjidhjen e krizës, ose në të kundërtën ata do ta marrin situatën nën kontroll, ka bërë që Blloku të jetë në ”stres kohor”.
Burime i kanë thënë Gazetës se kjo është arsyeja kryesore përse Blloku po mundohet që të gjejë zgjidhjen deri në këtë datë, ngase ekziston rreziku që ndërhyrja e ndërkombëtarëve mund të sjellë ndonjë epilog të padëshiruar për Bllokun.

“Edhe pse nuk dihet se çfarë interferimi do të kenë ndërkombëtarët, ne duhet të gjejmë një zgjidhje sa më të shpejtë”, ka thënë ky burim.

Në anën tjetër, edhe lideri i PDK-së, Hashim Thaçi u ka bërë thirrje të gjitha partive që të ulen së bashku dhe të diskutojnë, në mënyrë që të gjendet zgjidhja për tejkalimin e ngërçit politik.

Kosova po hyn në muajin e gjashtë pa institucione. Ndonëse PDK në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 8 qershorit doli partia e parë me 30 për qind, megjithatë nuk arriti që të bind asnjë parti shqiptare për të hyrë në bashkëqeverisje me të. LDK- AAK- Nisma dhe Vetëvendosje në anën tjetër janë bashkuar, duke e formuar shumicën parlamentare, mirëpo një vendim i Gjykatës Kushtetuese ku vetëm PDK-së ia njeh të drejtën që ta ketë kryetarin e Kuvendit shkatërroi gjithçka duke e çuar vendin drejt një krizë të thellë politike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat