Mustafa: Blloku VLAN do e propozojë ndryshimin e Kushtetutës

Kosova

Mustafa: Blloku VLAN do e propozojë ndryshimin e Kushtetutës

Nga: H.Orana Më: 1 nëntor 2014 Në ora: 08:31

Kreu i LDK-së Isa Mustafa përmes një postimi në Facebook ka thënë se konstituimi i Kuvendit nuk duhet të bëhet pengesë e përjetshme e formimit të Qeverisë. Sipas tij, blloku VLAN ka punuar me shumë intenstitet në këta pesë muaj që vendit ti sjellin një qeveri më stabile.

Mustafa më tutje ka shkruar se blloku kur të vij në pushtet do të propozojë ndryshimin e Kushtetutës në mënyrë që të mos hasen më problem të tilla.

Lexoni më poshtë publikimin e plotë të liderit Mustafa:

Zgjedhja e Kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës nuk mund të bëhet pafundësisht pengesë e formimit të Qeverisë.

Të bllokuar me vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe me abuzimin e pronarëve të këtij vendimi, si dhe në mungesë të vullnetit të institucioneve të vendit për të krijuar hapësirë për shumicën parlamentare, e konsideroj prioritare që vendit t’i ofrohet zgjidhja për themelimin e Qeverisë.

Qeveria LDK, AAK, Nisma në marrëveshje me VV dhe me përfshirje të pakicave, do të jetë qeveri e qëndrueshme dhe efikase në synimet e saj për zhvillim ekonomik dhe demokratik të vendit dhe të partneritetit ndërkombëtar. Ky koalicion ka punuar pareshtur gjatë këtyre pesë muajve për të ofruar një program të ndryshimeve pozitive, ka krijuar një homogjenitet dhe kohezion në qasje dhe besim reciprok për shumicën e çështjeve vitale për Kosovën.
Do të jetë, po ashtu kjo Qeveri, ajo e cila duhet të propozojë ndryshimin e Kushtetutës, në mënyrë që në të ardhmen të mos lejohet interpretimi i saj politik dhe e cila do t’ia rikthejë vendit të drejtën e shumicës parlamentare. Fitorja e kësaj të drejte nuk është kurrë vonë, sidomos për një demokraci të brishtë dhe të re siç është kjo e Kosovës.

Ditët që vijnë do të jenë ditë të reflektimit tonë politik që vendi të bëhet me qeverinë që e meriton.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat