Thaçi: Po punojmë që të mos ketë pika kufitare mes Kosovës dhe Shqipërisë!

Kosova

Thaçi: Po punojmë që të mos ketë pika kufitare mes Kosovës dhe Shqipërisë!

Më: 31 tetor 2014 Në ora: 15:42

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka bërë sot përurimin e zgjerimit të rrugës në pikën e kalimit kufitar në Vërmicë.

I shoqëruar nga ministrat Bajram Rexhepi, Fehmi Mujota, Besim Beqaj dhe nga drejtuesit e Doganës dhe Policisë së Kosovës, kryeministri Thaçi u njoh nga afër me punimet e kryera në këtë pikë të kalimit kufitar.

“Sot jemi këtu me ministrat, dhe me autoritetet përkatëse doganore dhe të Policisë kufitare, për të bërë inaugurimin e kësaj rruge të pikës kufitare në Vërmicë, në kuadër të menaxhimit të integruar të kufijve, që po ndodh këtu, por edhe në të gjitha pikat kufitare të Republikës së Kosovës”.

Kryeministri tha se në këtë pikë kufitare është bërë një investim modest, por sipas tij, jashtëzakonisht bashkëkohor, për të lehtësuar qarkullimin e njerëzve sa më tepër që është e mundur, për lëvizjen sa më të shpejtë të qytetarëve nga Kosova për në Shqipëri.

“Në anën tjetër unë dua të shpresoj se edhe ky investim do t’a lehtësojë edhe më tepër rrugën tonë, dhe në një të ardhshme shumë të afërt të mos ketë fare pika kufitare mes Kosovës dhe Shqipërisë”.

“Në këtë mënyrë do të jetojmë në një hapësirë evropiane, në territorin tonë, ku nuk do të ketë fare pengesa të tilla kufitare, por të gjithë njerëzit të lëvizin lirshëm, edhe mallrat, dhe e gjithë kjo do të jetë në interes të shteteve tona, në interes të njerëzve, si dhe në interes të vlerave euroatlantike”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat