Presidenca: Vendi duhet të nxirret nga kjo situatë, me zgjidhje apo me zgjedhje!

Kosova

Presidenca: Vendi duhet të nxirret nga kjo situatë, me zgjidhje apo me zgjedhje!

Më: 31 tetor 2014 Në ora: 11:02

Arbër Vllahiu, këshilltar i presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, në një prononcim për media ka theksuar se i gjithë procesi i lehtësimit të diskutimeve me liderët e partive politike parlamentare, nga ana e shefes së shtetit, është ndërtuar në mirëbesim dhe mirëkuptim.

Ai ka theksuar se Presidentja Jahjaga i ka inkurajuar, që prej fillimit të procesit të diskutimeve, të gjithë liderët që të reflektojnë dhe të gjejnë guximin e kurajën për të ofruar zgjidhje, bazuar, sipas tij, në vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe kuadrin kushtetues dhe për të ndihmuar që vendi të dal nga kjo situatë e pamundshme e krijuar.

“Një takim i përbashkët i liderëve të partive politike parlamentare në Zyrën e Presidentes, në të cilin do të ofroheshin edhe zgjidhje konkrete për situatën e krijuar, do të mund të tejkalonte këtë gjendje dhe do të ndihmonte në ndërtimin e institucioneve të qëndrueshme dhe përfshirëse”, ka thënë Vllahiu.

Sipas tij, e para e shtetit që “prej fillimit të diskutimeve ka bërë me dije se vendi duhet të dal nga impasi i krijuar, me qëllim të shmangies së një krize më të thellë jo vetëm institucionale por edhe buxhetore dhe financiare”.

“Në çfarëdo rasti, presidentja do të vazhdojë të respektojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe kuadrin kushtetues, dhe bazuar mbi këto akte ligjore, bazuar edhe në të drejtën e saj kushtetuese, si dhe bazuar në qëndrimin e liderëve të partive politike, ajo do të veprojë”, ka thënë Vllahiu.

Sipas tij, “nëse nuk ka asnjë zgjidhje dhe liderët i shohin si alternativë të vetme të mbetur zgjedhjet, atëherë pikërisht bazuar në Kushtetutën e Kosovës, në të gjitha ligjet në fuqi dhe në rolin e garantuesit të funksionimit demokratik të institucioneve të Presidentes, vendi duhet të nxirret nga kjo situatë”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat