Zgjidhja e ngërçit politik - në rrugë apo përmes institucioneve

Kosova

Zgjidhja e ngërçit politik - në rrugë apo përmes institucioneve

Më: 31 tetor 2014 Në ora: 10:21

Pamundësia për ta zgjidhur ngërçin politik përmes institucioneve, e ka hapur edhe një front përmes të cilit mund të kërkohet largimi nga pushteti i kryeministrit në detyrë, Hashim Thaçi: protestat!
Njëri nga partnerët e bllokut VLAN, Lëvizja Vetëvendosje (VV), nuk e ka mohuar mundësinë që shumë shpejt zgjidhjen e problemit ta kërkoj në rrugë.

Sekretari organizativ i VV-së, Dardan Molliqaj, ka thënë për media se VV-ja gjithmonë ka insistuar që demokracia nuk duhet të reduktohet vetëm në përfaqësuese, por se duhet të jetë e drejtpërdrejtë, në thelb të së cilës është qytetaria aktive.

Ai ka theksuar se “sot kemi një qeveri në ikje, e cila e ka kapur shtetin dhe po i bllokon institucionet, duke mos e lejuar formimin e tyre”.

“Kjo Qeveri sot nuk do të hiqet nga pushteti dhe ta lejojë shumicën parlamentare t’i formojë institucionet. Ajo i mban peng institucionet, shtetin dhe popullin. Andaj, ne konsiderojmë se në këtë situatë protestat qytetare janë mjet legjitim dhe demokratik dhe ne i inkurajojmë ato. Gjithashtu, me koalicionin LAN, ndër të tjera është diskutuar edhe organizimi i protestave qytetare”, shprehet Molliqaj.

Në anën tjetër, Avni Arifi, këshilltar i liderit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se partia e tij është e interesuar që ta ndjek rrugën institucionale, për zgjidhjen e ngërçit politik, të krijuar pas zgjedhjeve të 8 qershorit.

Sipas tij, deri më tani janë provuar të gjitha rrugët institucionale për zgjidhjen e krizës, përmes shumicës parlamentare, duke shtuar se “nuk ka ndonjë vendim se a duhet të shqyrtohen edhe rrugët për zgjidhjen e ngërçit”.

“Për momentin ky është vendimi jonë. E drejta e protestës është e garantuar me Kushtetutën e Kosovës, dhe çdokush mund ta ushtroj këtë të drejtë. Në të ardhmen mund të ndodhë ndoshta edhe një gjë e tillë. Mirëpo, për momentin nuk ka ndonjë vendim për këtë zhvillim”, ka thënë Arifi.

Edhe partneri tjetër i bllokut VLAN, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), si duket nuk e preferon zgjidhjen e krizës nëpërmjet rrugës. Nënkryetarja e LDK-së, Teuta Sahatqija, ka deklaruar se zgjidhja e problemit politik duhet të bëhet në mënyrë institucionale e jo përmes rrugës. Ndërsa, Bajram Rexhepi, nënkryetar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), e ka quajtur “papjekuri” thirrjen e Vetëvendosjes, që përmes protestave të largohet Thaçi nga pushteti.

Ndryshe, ka më tepër se katër muaj (qysh pas zgjedhjeve të 8 qershorit) që Kosova ka mbetur peng i mos konstituimit të institucioneve, të cilat sipas njohësve të rrethanave socio-politike në vend, mund t’i kushtojnë shumë keq Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat