Gjashtë muaj pa Parlament

Kosova

Gjashtë muaj pa Parlament

Më: 31 tetor 2014 Në ora: 10:02

Po bëhen gjashtë muaj që kur Kosova ka mbetur pa parlament që është institucionin më i lartë ligjvënës i shtetit.
Njohës të rrethanave politike e vlerësojnë të dëmshme këtë periudhë që po kalon vendi. Mos konstituimin e institucioneve të reja, të dala pas zgjedhjeve të tetë qershorit, ata e shohin në dëm të qytetarëve që po iu vije pikërisht nga ata që iu dhanë votën.

Me 90 vota pro, deputetët e Kuvendit të Kosovës në një seancë të jashtëzakonshme, më 7 maj votuan për shpërbërjen legjislaturës së katërt. Kjo hapi rrugën për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare të parakohshme, të cilat me vendimin e presidentes, Atifete Jahjaga u mbajtën më 8 qershor. Por, që nga ajo datë, Kosova ka mbetur pa institucionin më të lartë ligjvënës, parlamentin, si dhe institucione të tjera qeverisëse.

Përpjekjet e para për themelimin e legjislaturës së re u bënë në seancën konstituive të 17 korrikut. Një gjë e tillë dështoi për shkak se në skenën politike u formuan dy tabore, PDK me partitë në koalicion parazgjedhor, dhe blloku LDK, AAK dhe Nisma, i mbështetur edhe nga Vetëvendosje, i formuar më 10 qershor. Rreshtimi i katër partive bëri që PDK, e cila doli e para në zgjedhjet e përgjithshme, të mos ketë partner për krijimin e institucioneve. Sipas analistëve, kjo bllokadë, e krijuar që pas zgjedhjeve të tetë qershorit, po e mbanë të paralizua edhe konstituimin e institucioneve të reja. Analisti Albert Krasniqi, thekson se kjo bllokadë i ka kushtuar shumë Kosovës në dy aspekte.

“E para është dëmtimi i imazhit edhe ashtu të dëmtuar në aspektin ndërkombëtar, për shkak se është treguar një papjekuri e madhe politike e lidershipit politik në Kosovë për të krijuar institucione të qëndrueshme. E dyta është në aspektin ekonomik. Shumë investitorë te huaj deh zhvillimi ekonomik ka stagnuar në përgjithësi që ndërlidhet indirekt me këtë krizë institucionale”.
Sipas analistit Albert Krasniqi, ky dëm po u vije qytetarëve pikërisht nga ata që sovrani iu dha besimin për krijimin e institucioneve.

“Këta janë përfaqësues të cilët janë zgjedhur prej qytetarëve të Republikës së Kosovës për t`i përfaqësuar në institucione dhe ata është dashur që t`i zgjidhnin këto probleme. Megjithatë, pasojat janë shkaktuar edhe për shkak të një kornize ligjore jo shumë të qartë si dhe kalkulimeve politike, qoftë individë apo parti i kanë bërë për vete më herët”.
Ndryshe, Kuvendi i Kosovës është shpërndarë më 7 maj 2014, në një seancë të jashtëzakonshme. Shpërndarja e legjislaturës hapi rrugën për zgjedhjet e parakohshme që u mbajtën më 8 qershor 2014. Që pas mbajtjes së zgjedhjeve Kosova ende nuk ka arritur që të zgjedhë kryetarin e Kuvendit e as t`i krijojë institucionet tjera qeverisëse.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat