Ekskluzive: Ndërkombëtarët presin deri më 8 nëntor- pastaj vendosin ata

Kosova

Ekskluzive: Ndërkombëtarët presin deri më 8 nëntor- pastaj vendosin ata

Më: 30 tetor 2014 Në ora: 12:28

Data 8 nëntor, është koha e fundit kur partitë politike në Kosovë duhet të gjejnë zgjidhjen për krijimin e institucioneve. Nëse deri me këtë datë nuk do të ketë zgjidhje për tejkalimin e ngërçit politik, atëherë do të veprojnë ndërkombëtarët. Kështu kanë bërë të ditur burime ndërkombëtare të Gazetës Blic të afërta me zhvillimin e proceseve politike.

“Ndërkombëtarët ua kanë bërë të qartë liderëve të të gjitha partive politike se deri më 8 nëntor duhet të gjendet zgjidhja. Në të kundërtën, atëherë ata do të veprojnë”, ka thënë ky burim.

Ndërkohë, edhe një zyrtar i lartë i Bllokut ia ka konfirmuar Gazetës Blic një ultimatum të tillë.

“Është e vërtetë se ndërkombëtarët na kanë dhënë afat që deri më 8 nëntor të gjendet zgjidhja. Nëse kjo nuk do të ndodhë, atëherë me gjasë do të vij ndërhyrja e tyre”, tha ky zyrtar i Bllokut.

Megjithatë, as ky zyrtar nuk mund të parashikoj se çfarë epilogu mund të ketë kjo situatë. “E dimë që deri më 8 nëntor kemi afat, mirëpo se çfarë epilogu do të marrë kjo punë, nuk mund ta dimë”, tha ky burim.

Megjithatë, ky burim ka saktësuar se liderët e LVAN-it, Isa Mustafa, Ramush Haradinaj, Albin Kurti e Fatmir Limaj edhe njëherë kanë diskutuar dhe kanë treguar vendosmërinë se deri në fund do ta çojnë këtë punë dhe në asnjë formë nuk do të hyjnë në bashkëqeverisje me PDK-në.

Mirëpo, zyrtarisht as nga Blloku LVAN e as nga PDK nuk kanë pranuar që të flasin se ndërkombëtarët u kanë dhënë ultimatum që deri më 8 nëntor të tejkalohet kriza politike në vend.

Ndërkohë, gjatë ditës së sotme sërish janë takuar liderët e LVAN-it.

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë s’ka ridizajnim të marrëveshjes së Bllokut dhe se një gjë e tillë as që i është kërkuar.

“Nuk më është kërkuar të heq dorë nga pozita e Kryeministrit dhe nuk do të ndodh një gjë e tillë”, ka thënë Haradinaj, pas takimit me Isa Mustafën, Fatmir Limajn e Albin Kurtin.

“Nuk ka ridizajnim të marrëveshjes”, ka shtuar ai.

Me këtë rast, Haradinaj ka thënë se kanë vendosur përsëri t’i drejtohen Flora Brovinës për të thirrur seancë të re, në të cilën deputetët do të diskutonin për zgjidhjen e bllokadës politike.

Edhe kryesia e PDK-së është mbledhur të mërkurën ku ka diskutuar për gjendjen politike në të cilën ndodhet vendi.
Pas këtij takimi, Hashim Thaçi ka thënë se preferon që të hyjë në bashkëqeverisje me LDK dhe AAK.

Ndryshe vendi tash e pesë muaj është pa institucione. PDK edhe pse doli partia e parë në zgjedhje nuk po arrin që të gjejë ndonjë parti për të hyrë në bashkëqeverisje. Në anën tjetër, LDK- AAK- Nisma dhe VV kanë hyrë në marrëveshje politike për bashkëqeverisje, por vendimi i Gjykatës Kushtetuese ku vetëm PDK-së i njeh të drejtën që ta ketë kryetarin e Kuvendit, duket se ka bllokuar gjithçka.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat