Një qeveri me Vetëvendosjen, humb përkrahjen ndërkombëtare për Kosovën!

Kosova

Një qeveri me Vetëvendosjen, humb përkrahjen ndërkombëtare për Kosovën!

Më: 30 tetor 2014 Në ora: 09:46

Diplomatë ndërkombëtarë, të akredituar në Prishtinë, kanë filluar të shprehin frustrimin e tyre me kokëfortësinë e Bllokut LVAN për të ndjekur projektin e vet, që sipas tyre bie ndesh me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, por edhe me agjendën ndërkombëtare për Kosovën.

Lajmi.net që prej dy ditësh ka kontaktuar disa prej përfaqësuesve të shteteve anëtare të Quintit (Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Franca, Gjermania dhe Italia), për të komentuar zhvillimet aktuale politike dhe mundësinë për të tejkaluar situatën e krijuar pas 8 qershorit.

Derisa njëri prej këtyre diplomatëve një ditë më parë ka gjykuar të gjitha palët për barrikadim, duke ruajtur paanshmërinë, një diplomat tjetër i njërit prej vendeve të fuqishme të Quintit, ka thënë se ata janë të frustruar me bllokun opozitar që vazhdon të insistojë të bëjë të veten, edhe pse marrëveshja e këtij blloku, e 10 qershorit, nuk ka kurrfarë implikimeve juridike.

Sipas tij, pasi Gjykata Kushtetuese ka sqaruar se të drejtën për të nominuar kandidatin për Kryetar të Kuvendit të Kosovës e ka vetëm koalicioni apo partia që ka dalë e para në zgjedhje, vendet mike u dërguan mesazh liderëve partiak të respektojnë këtë aktvendim dhe të vazhdohet me konstituimin e institucioneve të Kosovës sa më parë.

“Pritjet tona ishin që aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese do të hapë rrugën për lëvizje përpara. Por tanini jemi të habitur, pasi përkundër mesazheve tona dhe përpjekjeve të pareshtura të presidentes së Republikës, Blloku insiston të bëjë hapa që janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës”, ka thënë ky bashkëbisedues.

Sipas këtij burimi, për shtetet anëtare të Quiniti befasi e pakëndshme nga LAN-i (LDK-AAK-Nisma) ishte edhe përfshirja e Lëvizjes Vetëvendosje në bllokun opozitar.

“Kemi besuar që është e qartë, madje edhe për vet Lëvizjen Vetëvendosje, se ende nuk e gëzon besimin e bashkësisë ndërkombëtare, dhe se ndërkombëtarët ende nuk e preferojnë një qeveri që në gjirin e saj e këtë lëvizje”, ka thënë ky diplomat nga njëra prej përfaqësive kryesore ndërkombëtare në Kosovë.

“Zyrtarët e Lëvizjes Vetëvendosje nuk janë ftuar që të vizitojnë asnjë qendër të rëndësishme ndërkombëtare për shkak se shihen si subjekt politik që veprojnë në kundërshtim me interesat e Kosovës, por edhe në kundërshtim me agjendën ndërkombëtare për rajonin e Ballkanit”, ka thënë ky burim duke përkujtuar se edhe kur personalitetet ndërkombëtare që kanë vizituar Kosovën, edhe në të kaluarën, edhe tani, kanë shmangur takimet me përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje.

“Dialogu me Serbinë, hapja e tregut të Kosovës, veprimi brenda kornizës së ligjit dhe respektimi i institucioneve shtetërore, janë prioritet për Kosovën dhe për bashkësinë ndërkombëtare në Kosovë. E Lëvizja Vetëvendosje është kundër të gjitha këtyre prioriteteve”, ka thënë burimi.

I pyetur nëse këtë qëndrim për Vetëvendosjen, përveç shtetit të tij, e kanë edhe shtete tjera anëtare të Quintit, ky diplomat është shprehur se në këtë pikë nuk kanë asnjë dallim të vetëm.

“Është e vërtetë që Lëvizja Vetëvendosje e ka ndryshuar fjalorin e vet dhe ky është një ndryshim i mirëseardhur për bashkësinë ndërkombëtare. Por Lëvizja Vetëvendosje duhet të bëjë shumë më shumë se sa të ndryshojë fjalorin e vet që të na bindë se është parti politike e mirë për Kosovën dhe për bashkësinë ndërkombëtare”.

“Neve na shqetëson kërkesa e Lëvizjes Vetëvendosje që të mos respektohen Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës. Dhe këtë e bën në të njëjtën kohë kur flet për sundimin e të drejtës, na shqetëson kur proteston dhe sulmon personalisht institucionin e Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese dhe kërcënon me eskalim në protesta që do të çonin vendin në kaos dhe do ta kthenin prapa”.

Prandaj, afrimi i bllokut të partive LDK, AAK dhe Nisma me Lëvizjen Vetëvendosje, sipas këtij burimi, e ka shqetësuar bashkësinë ndërkombëtare në Kosovë dhe ka bërë që e tërë kjo nismë e tyre të shihet me shqetësim.
“Kosova ka fituar shumë në skenën ndërkombëtare duke qenë partner i joni konstruktiv. Kosova do të pësojë shumë nëse nuk shihet më si partner konstruktiv i bashkësisë ndërkombëtare. Vendi juaj nuk mund t’ia lejojë vetes të hidhërojë mbështetësit e saj kryesorë”, ka thënë ky diplomat perëndimor.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat