Misioni

Kosova

Misioni

Më: 29 tetor 2014 Në ora: 15:04

Shqiptarët vazhdojnë të jetojnë me hallet e tyre të përditshme. Por, disa raste janë të pajustifikueshme. Së fundi jemi dëshmitarë të një dhune makabre që ka filluar të shpërthejë ndaj mediave. Asnjë medium nuk e di dhe nuk është provokuar, kërcënuar dhe viktimizuar më shumë se sa redaksia e “Bota sot”. Dy gazetarë të vrarë, Bekim Kastrati e Bardhyl Ajeti, një bashkëpunëtorë i vrarë Xhemail Mustafa, këshilltar i presidentit Ibrahim Rugova.

Por, sa kërcënime, sulme të drejtpërdrejta, bomba të kurdisura, redaksisë në Cyrih, dhe sa goditje nga më të ndryshmet, të bëra nga nëntoka dhe politika. Mbase jemi fatlum që ne të tjerët kemi mbijetuar.

Për këtë mund ti falënderohemi Zotit, por edhe pranisë ndërkombëtare, dhe jashtëzakonisht shumë opinionit shqiptarë që na ka dashur aq shumë, në Kosovë dhe në diasporë.

Kjo dhunë e shumëfishtë ndaj nesh, e bërë prej vitesh, por intensivisht nga viti 1999, e rikthyer në kërcënime me vrasje në fillim të këtij viti ndaj kryeredaktorit Idriz Morina, editorit Xhevdet Mazrekaj, e ripërsëritur nga grupime të tjera më pas, dhe me kërcënime në formë mesazhesh mënyrash të ndryshme dhe në vazhdimësi, tregon për sfidën e patejkalueshme, që kryesisht gjenerohet si rezultat i dështimit të sundimit të ligjit!

Rasti i sulmit me thikë ndaj gazetarit Milot Hasimja, në vendin e punës, rrëfen situatën nëpër të cilën po kalojnë gazetarët dhe kërcënimet, e përjetuara nga ne.

Por, në gjithë këtë kë një moment indinjimi. Mirë që më në fund Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka vendosur të protestojë, duke kujtuar pasigurinë për jetën e gazetarëve, pra për vetë jetën tonë, nga e cila ndajmë shumë idhtësi, për të përjetësuar një realitet, në ngurtësinë e letrës, pamëshirën e elektronikës dhe të virtualitetit të ekranit!

Ky Asociacion, as që e çeli gojën në kërcënimin e parë tepër serioz kur kërcënuesi, pavarësisht reagimeve publike të gazetës, dhe që kërcënuesi qe arrestuar! Pra, as arrestimi i të dyshuarit nuk i kishte shkuar në mendje Asociacionit se përbënte fakt për reagim! Habi! Atëherë ishte një kryesi dhe udhëheqje tjetër! Në rastin tjetër të kërcënimit, në muajin korrik, udhëheqja e re e Asociacionit, tanimë edhe me emër të ri, reagoi me dy ditë vonesë! Edhe në të kaluarën ka pasur heshtje të Asociacionit, përkatësisht të udhëheqësive të tij, ose reagimet kanë qenë sa për sy e faqe!

Për këtë kush duhet të protestojë apo të protestonte!?

Prandaj, kjo thirrje për protestë duhet të shërbejë për më shumë solidaritet me kolegët, për më shumë ndjesi dhe empati, pavarësisht dallimeve që mund të ketë, pavarësisht mungesës së ekuilibrit politik, që një udhëheqje mund ta ketë, duhet ta çmoj më shumë jetën e një gazetari!

Pra, protesta le të jetë një protestë për vetveten, për emancipimin tonë para së gjithash, dhe një protestë që përkon me misionin thelbësor lirinë e shtypit! Thirrjet për një protestim duhet të burojnë nga zemra e çdonjërit dhe e çdo mediumi, duke kthyer sytë kah fajtorët kryesor për këtë vuajtje të sotme të përgjithshme gjithëshqiptare, në varfëri, papunësi, dhe mungesë perspektive për të ardhmen!

Ky është mesazhi për të cilin më së shumti kemi sakrifikuar, andaj duhet të dominojë, ndenja kundër dhunës!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat