Edhe Thaçi u angazhua që Kosova të pranohet në KON (Dokument Ekskluziv)

Kosova

Edhe Thaçi u angazhua që Kosova të pranohet në KON (Dokument Ekskluziv)

Më: 28 tetor 2014 Në ora: 13:59

Kryeministri Hashim Thaçi ishte angazhuar drejtpërdrejtë në punën e institucioneve të Kosovës për pranim në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar. Ai rreth tre javë para se të pranohej Kosova i kishte shkruar një letër presidentit të KON-it.

Kosova së fundmi bëri hapin më të madh drejtë pjesëmarrjes në garat ndërkombëtare sportive që nga shpallja e pavarësisë së vendit, pasi u pranua në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar.

Në punën e institucioneve të Kosovës, politike dhe sportive, ishte angazhuar drejtpërdrejtë edhe kryeministri në detyrë i vendit, Hashim Thaçi.

Lajmi.net ka siguruar letrën që Thaçi i kishte shkruar presidentit të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Thomas Bach, rreth tre javë para se ky institucion i sportit ndërkombëtarë të merrte vendim për pranimin e Kosovës në gjirin e saj.

Më poshtë lexoni të plotë letrën e kryeministrit Hashim Thaçi dërguar presidentit të KON-it, Thomas Bach:
I nderuar z. Bach

Kam nderin e veçantë, që përmes kësaj letre të shpreh përkrahjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës për Komitetin Olimpik të Kosovës, si instanca më e lartë sportive në vendin tonë.

Ngjashëm me frymën e Lëvizjes Olimpike, institucionet e Kosovës po ndërtojnë një vend, ku synojmë që sporti të ketë një rol thelbësor në arritjen e respektit dhe bashkëpunimit ndërmjet qytetarëve tanë.

Parimet e Lëvizjes Olimpike janë parime universale, të cilat janë udhërrëfyes për të rinjtë tanë në aktivitetet e tyre sportive, në të gjitha sportet e organizuara në Kosovë.

Sporti paraqet një segment të pavarur në shtetin tonë, por luan një rol të rëndësishëm në zhvillimin e gjithëmbarshëm të shoqërisë.

Unë jam i bindur se ky rol mund të fuqizohet edhe më shumë kur Komiteti Olimpik i Kosovës të bëhet edhe zyrtarisht pjesë e Familjes Olimpike dhe kur sportistët e Kosovës të kenë mundësi të barabarta për të garuar në arenën ndërkombëtare.

Andaj, ne mbesim me shpresë se ju do të pranoni kërkesën e Komitetit Olimpik të Kosovës për t’u bërë pjesë e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, ashtu që mijëra sportistëve të vendit tonë t’u jepni mundësinë që të garojnë bashkë me sportistë nga e mbarë bota, gjithnjë në frymën e Lëvizje Olimpike.

Sinqerisht i Juaji,

Hashim Thaçi

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat