Java e fundit e "takimeve"

Kosova

Java e fundit e "takimeve"

Më: 28 tetor 2014 Në ora: 09:58

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga edhe gjatë kësaj jave do të bëjë përpjekje për t’i bashkuar liderët e partive parlamentare në një tavolinë, me synim gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme për dalje nga ngërçi politik i krijuar pas zgjedhjeve nacionale të 8 qershorit.

Sipas burimeve të lajmi.net, kjo do të jetë përpjekja e fundit e presidentes përpara daljes me qëndrim përfundimtar javën tjetër, brenda të cilit do të përfshihej edhe vendimi për shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare.

“Dalja nga situata duhet dhe mundet të zgjidhet brenda kuadrit të aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Ky është qëndrimi i presidentes Jahjaga dhe për këtë ka mbështetje të fortë edhe nga faktori ndërkombëtar, sidomos nga Shtetet e Bashkuara”, ka thënë një burim i lajmi.net me kusht anonimiteti, brenda Presidencës.

Sipas këtij burimi, kanë mbetur edhe pak ditë deri të marrja e një vendimi nga presidentja, pasi barrikadimi i mëtutjeshëm i dy blloqeve politike po e çon Kosovën drejtë një krize tejet të vështirë.

“Kalkulimet politike nga partitë janë të arsyeshme derisa nuk vihet në rrezik interesi nacional. Kosova aktualisht është shumë afër kësaj pike, afër rrezikut nga një krizë e thellë institucionale, ekonomike, dhe nëse nuk reagohet shpejtë, do të sjell pasoja të pariparueshme”, ka thënë ky burim.

“Liderët partiakë, për interesa të ngushta dhe me vetëdije të plotë e kanë sjellë vendin deri në këtë pikë, prandaj presidentja Jahjaga nuk do të tolerojë gjatë këtë situatë, por do t’ua jep mundësinë qytetarëve me të drejtë vote që brenda 45 ditëve t;iu drejtohen kutive të votimit”.

Burimi i lajmi.net ka thënë se zgjedhjet e jashtëzakonshme janë opsioni i fundit, duke pasur parasysh koston e tyre, pasi përveç asaj financiare, sipas këtij zyrtari të Presidencës, shteti do të ngelet pa institucione edhe të paktën dy-tre muaj të tjerë, në rastin më të mirë.

“Kjo është arsyeja që as presidentja dhe as vendet mike nuk janë të interesuara për zgjedhje të jashtëzakonshme, porse një zgjidhje duhet bërë, dhe ajo do të merret shumë shpejtë, brenda pak ditësh”.

I pyetur të komentojë refuzimin e presidentes për të dërguar në Gjykatën Kushtetuese interpretimin e Pikës 127 të aktgjykimit të kësaj gjykate rreth seancës konstituive të 17 Korrikut, ky burim ka thënë se një veprim i tillë nga ana e saj nuk do të sillte asgjë të re për daljen nga situata e krijuar.

“Pika 127, kur lexohen edhe pikat tjera të aktgjykimit, nuk ka nevojë për interpretim, është e qartë. Për këtë presidentja nuk ka marrë vendim ‘krye n’vete’, por është këshilluar paraprakisht me stafin e saj dhe ekspertët juridikë. Prandaj është i nevojshëm edhe një takim mes liderëve partiakë, porse kur të ulën në të njëjtën tavolinë, ata duhet të lënë mënjanë interesat personale pasi deri më tani për këtë janë kujdesur vetëm atëherë kur kanë dalë përpara mediave”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat