Projektet kapitale s’zbusin papunësinë

Kosova

Projektet kapitale s’zbusin papunësinë

Më: 26 tetor 2014 Në ora: 11:07

Zbatimi i projekteve kapitale në Kosovë, vlerësohet se mund të arrijë në zbutjen e papunësisë për një periudhë të caktuar.

Vetëm në projektin e autostradës Prishtinë - Hani i Elezit, që ka filluar në muajin korrik të këtij viti, janë punësuar afër 500 punëtorë dhe janë lidhur kontrata edhe kompani të ndryshme që merren me ndërtimin e rrugëve.

Ela Ruqi, zëdhënëse në konsorciumin amerikano - turk Bechtel/Enka, kompani kjo që ka fituar tenderin për ndërtimin e autostradës të quajtur “Arbën Xhaferi”, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se në këtë projekt është shtuar numri i punëtorëve pasi punohet në dy ndërrime, 24 orë në ditë.

“Në këtë moment flitet për një numër prej 400 deri në 500 punëtorë, por ky numër shtohet ose pakësohet varësisht nga punimet e sezonit. Por ajo që është e rëndësishme për t’u thënë, është se Bechtel/Enka vazhdon të marrë punëtorë që kanë arritur të kenë aftësitë dhe trajnimet që kanë marrë edhe përmes Rrugës së 7”, thekson Ruqi.

Sipas saj, përveç punëtorëve, për realizimin e projektit, konsorciumi fitues ka lidhur kontrata me disa kompani që merren me ndërtimin e rrugëve.

“Ne kemi shumë kompani vendore të cilat janë të angazhuara në projekt, kemi një eksperiencë jashtëzakonisht të mirë me kompanitë vendore. Mos të harrojmë që është një eksperiencë e arritur në katër vitet e projektit të Rrugës 7 dhe Rrugës së Kombit. Një eksperiencë që bëri të mundur arritjen dhe përfundimin më sukses të atij projekti”, shprehet Ruqi.

Edhe ekspertët për këtë çështje konsiderojnë se projektet kapitale mund të ndikojnë në përmirësim të gjendjes socio-ekonomike për një periudhë të caktuar.

Profesori i agro-ekonomisë në Fakultetin e Bujqësisë, në Universitetin e Prishtinës, Halim Gjergjizi, thotë se në çdo vend i zbatimi i projekteve kapitale ka ndikime pozitive në mënyrë zingjirore.

Siç thotë ai, kjo gjë krijon vende të reja pune, fuqizon gjendjen ekonomike, rrit konsumin, por në Kosovë efektet janë të vogla për shkak të shkallës së lartë të papunësisë.

“Por, në rastin e Kosovës ku papunësia është enorme këto projekte, çfarë është edhe ky projekt, janë fare periferike dhe jo aq kontribuuese në rritjen e punësimit. Gjithsesi është një hap i vogël por jo ai që duhet të jetë për të zbutur dhe jo për të zgjedhur problemin e papunësisë”, thotë Gjergjizi.

Sidoqoftë, shumë projekte kapitale gjatë këtij viti janë pezulluar për shkak të ngërçit politik në Kosovë.

Por, ministri në largim i Financave Besim Beqaj, ka premtuar edhe fillimin e realizimit të disa projekteve tjera kapitale në bashkëpunim më Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Dy projektet, sipas tij, tashmë janë aprovuar, ai i linjës hekurudhore nga kufiri i Maqedonisë deri në Fushë Kosovë, e pastaj do të vazhdohen edhe linjën që shkon në kufi me Serbinë.

Projektet tjera kanë të bëjnë më ndërtimin e rrugëve dhe energjetike./rel

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat