Turqia 200 milionë euro eksporte në Kosovë

Kosova

Turqia 200 milionë euro eksporte në Kosovë

Më: 25 tetor 2014 Në ora: 14:57

Një delegacion nga Aleanca Kosovare e Bizneseve dhe Qeveria e Kosovës në kuadër të “Javëve të Biznesit Kosovar 2014 me Diasporën”, u pritën në Odën Ekonomike të Izmirit. Ky delegacion ishte i kryesuar nga Agim Shahini, Kryetar i AKB-së, Ramadan Hasani, zëvendësministër i MZHE-së dhe disa pronarë të bizneseve nga Kosova.

Kryetari i Odës Ekonomike të Izmirit, Ekrem Demirtashi, i dëshiroi mirëseardhje delegacionit të Kosovës në Izmir, duke shprehur gatishmërinë e vet dhe të bizneseve turke për të bashkëpunuar me Kosovën.

Ai tha se shkëmbimet tregtare në mes Turqisë dhe Kosovës për çdo vit po rriten dhe paralajmëroi se pas nënshkrimit të Marrëveshjes për Tregti të Lirë në mes Kosovës dhe Turqisë, investimet turke në Kosovë do të rriten edhe më shumë.

Sipas tij, gjatë vitit 2014 Turqia ka parashikuar që në Kosovë të eksportojë mallra në vlerë prej 200 milionë euro.

Në anën tjetër kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve Agim Shahini e falënderoi kryetarin e Odës së Izmirit për gatishmërinë e shprehur për të investuar në Kosovë në sektorët e prodhimit.

Sipas tij, politikat fiskale për investitorët turq ishin pikë tjetër e diskutimit, ku biznesmenët turq u fascinuan me shkallën e ultë të tatimit në korporata dhe fitim por njëkohësisht edhe në paga.

Shahini kërkoi që të mbështeten edhe prodhuesit e Kosovës për të marrë një hise të tregut me produkte kosovare e që ishte një gatishmëri edhe e kryetarit të Odës Ekonomike të Izmirit. Sipas Shahinit ky i fundit ka mbështetur këto iniciativa siç janë edhe përmes këtij panairi “Foodex” ku rreth 50 biznese nga Kosova po njoftohen me kushtet e bashkëpunimit dhe investimeve të përbashkëta.

Në anën tjetër zëvendësministri Hasani në emër të Qeverisë së Kosovës tha se bashkëpunimi në mes dy shteteve në të gjitha fushat është i lartë dhe për këtë duhet falënderuar politikë bërsitë e te dy shteteve që po krijojnë ura ndërlidhëse për bizneset dhe investitorët e të dy shteteve.

Ai shtoi se edhe në të ardhmen do të mirëpriten investitorët nga Turqia, ku sipas Hasanit në vendin tonë edhe tash kemi shumë investitorë që po operojnë në tregun e Kosovës. Përndryshe aktivitetet e bashkëpunimit në mes bizneseve kosovare dhe turke do t’i mbështet edhe në të ardhmen nga Qeveria e Kosovës, Ministria e Zhvillimit, Diasporës, Bujqësisë, Tregtisë, Financave si dhe Agjencia e Promovimit të Investimeve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat