Fule, Hoxhajt: Më afër BE-së

Kosova

Fule, Hoxhajt: Më afër BE-së

Më: 25 tetor 2014 Në ora: 10:12

Komisionari për zgjerim i Bashkimit Evropian, Stefan Fule, është i kënaqur me procesin që ka zhvilluar Kosova në rrugën integruese. Fule, i cili përfundon mandatin në fund të këtij muaji, u shpreh, po ashtu, i kënaqur që ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka marrë pjesë në një takim në Beograd, duke e konsideruar këtë si veprim për normalizimin e raporteve ndërshtetërore.

Fule i ka bërë këto komente pas një takimi që ka zhvilluar në Bruksel me ministrin, Enver Hoxhaj.

Komisionari Fule i falënderoi institucionet kosovare për bashkëpunimin e treguar, duke thënë se ka bërë gjithçka gjatë mandatit të tij që Kosova të nisë përmbushjen e aspiratës për të qenë më afër BE-së, anëtarësimin në organizata dhe përfshirjen në iniciativat rajonale.

Duke folur për takimin në Beograd, Fule ka thënë se ai ka qenë shumë i rëndësishëm për BE-në dhe veçmas për Kosovën, pasi për herë të parë ka marrë pjesë një ministër i Jashtëm i Kosovës.

“Ne sapo kishim një takim shumë të mirë me ministrin, duke shikuar prapa për ato pesë vjetët e shkuara, por njëkohësisht edhe duke shikuar përpara. Ishte një takim shumë i rëndësishëm në Beograd e posaçërisht shumë i rëndësishëm për Kosovën dhe po ashtu i rëndësishëm për ne këtu në Bashkimin Evropian, ta sjellim për të parën herë në Beograd ministrin e Jashtëm të Kosovës. Mbi të gjitha bëmë të mundur ta sjellim për herë të parë me programet e qeverisjes ekonomike edhe Kosovën më afër BE-së. Një platformë që do ta ndihmojë më tutje Kosovën që në të ardhmen të bëhet një anëtare e barabartë e BE-së”, ka thënë Fule.

Ndërsa, ministri Hoxhaj e ka falënderuar Fulen për bashkëpunimin gjatë mandatit të tij pesëvjeçar dhe përkrahjen që ka dhënë për Kosovën në fillimin dhe përmbylljen e negociatave për MSA-në, anëtarësimin në organizata rajonale dhe ndihmën financiare që ka fituar Kosova nga programet e BE-së.

“Z. Fule ka dhënë një kontribut të madh sa i takon hapjes dhe përmbylljes së negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, si dhe ka pasur një rol të rëndësishëm në anëtarësimin e Kosovës në organizata të ndryshme rajonale dhe falë vendosmërisë së tij, po ashtu, Kosova ka mundur gjatë viteve të fundit të ketë një mbështetje financiare të mirëfilltë nga Bashkimi Evropian, përmes programeve të tij”, ka thënë Hoxhaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat