A e di AKI-ja emrin e vrasësit të Enver Zymberit?!

Kosova

A e di AKI-ja emrin e vrasësit të Enver Zymberit?!

Nga: Mimozë Lakna Më: 24 tetor 2014 Në ora: 18:58

Bojan Bozhoviq i deklaruar si Ish agjenti i AKI-së të enjten ka dalë me një deklaratë publike sa i përket vrasjes së policit të Republikës së Kosovës Enver Zymberi, më 26 korrik të vitit 2011 gjatë aksionit të Policisë së Kosovës për të shtrirë autoritetin në pikat 1 dhe 31 në veri të vendit.

Ish-agjenti i AKI-së, Bozhviq ka deklaruar se para tre viteve ka dorëzuar në Polici raportin se kush e vrau policin Enver Zymberi.

“Në këtë ditë tre vjet më parë në Agjencinë e Inteligjencës e kam dorëzuar raportin se kush e vrau një oficer të policisë së Republikës së Kosovës Enver Zymberi. Pse askush nuk e thotë emrin e vrasësit. Pse vrasësi të lirë shëtit në Kosovë. Ok jam Bojan Bozhoviq ish pjesëtarë i AKI-së ( Agjencia Kosovare për Inteligjence) Udhëheqës i projektit të ashtuquajtur "Veri". 154 hetimet prej gushtit 2011 deri fillimi këtij viti”,shkruan ai në rrejtin social.

Nga ana tjetër, Ministri i Punëve të Brendshme Bajram Rexhepi në një prononcim për “Bota sot”, thotë se lidhur me këtë duhet të pyetet AKI-ja. Ndërkaq, Rexhepi thotë se ky person në disa raste i është drejtuar atij dhe Policisë për ta mbrojtur.

“Për këtë duhet ta pyetni AKI-në a ka qenë bashkëpunëtor a çka. Ai shpesh ka dale me deklarata të tilla. Unë nuk mund ta konfirmoj as mohoj. Pra pyetjen ia adresoni AKI. Në disa raste Bojan Bozovic mu ka drejtuar mu ose Policisë që është i kërcënuar ai dhe familja e tij ne Z. Potok dhe na kemi marre masa për sigurimin e tij dhe familjes në baze të vlerësimit të rrezikshmërisë. Kjo është e tera nga ana ime”, thotë ministri Rexhepi për “Bota sot”.

Gazeta ka provuar të marr edhe përgjigje nga një ish-anëtar i Komisionit për Siguri dhe Inteligjencë të Kuvendit të Kosovës, mirëpo ai nuk ka dashur të përgjigjet rreth kësaj teme.

Ndryshe një muaj më parë, Policia e EULEX-it ka arrestuar Radomir Kasalovic, si i dyshuar për vrasjen policit Enver Zymberi. Arrestimi ka ndodhur pasi që, Kasalovic është vetë-dorëzuar në një vend afër Zubin Potokut.

Mirëpo, një ditë pas arrestimit dhe intervistimit nga EULEX-i, ky person është liruar për tu mbrojtur në liri.

Lidhur me sulmin në konvojin e Policisë së Kosovës, akuzohen 6 qytetarë të nacionalitetit serb, për të cilët është shpërndarë një urdhër-arrest ndërkombëtar.

Enver Zymberi, u qëllua gjatë aksionit për të shtrirë kontrollin e Qeverisë së Republikës së Kosovës edhe në pjesën veriore të vendit, në të cilën kontrabanda kishte shtrirë rrënjët që nga paslufta. Vrasja e heroit të Kosovës thuhet se u bë me urdhër të Strukturave Paralele Ekstremiste Serbe.

Ndryshe, polici Enver Zymberi u qellua me snajper në kokë dhe nga plaga e rëndë ai ndërroi jetë më 26 korrik të vitit 2011 rreth orës 22:10 në QKUK.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat