Hoxhaj takim lamtumirës me Fulen

Kosova

Hoxhaj takim lamtumirës me Fulen

Më: 24 tetor 2014 Në ora: 17:04

Ministri në largim i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, po qëndron në Bruksel pas vizitës në Beograd, ku ka takuar gjatë ditës së premte Komisionerin për Zgjerim, Stefan Fule, i cili e përfundon mandatin e tij në fund të tetorit.

Hoxhaj e ka falënderuar Fulen për bashkëpunimin gjatë mandatit të tij pesë vjeçar dhe përkrahjen që ka dhënë për Kosovën në fillimin dhe përmbylljen e negociatave për MSA-në, anëtarësimin në organizata rajonale dhe ndihmën financiare që ka fituar Kosova nga programet e BE-së.

“Gjatë ditës së sotme kisha një takim me Komisionerin për Zgjerim, z. Stefan Fule. Z. Fule ka dhënë një kontribut të madh sa i takon hapjes dhe përmbylljes së negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit si dhe ka pas një rol të rëndësishëm në anëtarësimin e Kosovës në organizata të ndryshme rajonale, dhe falë vendosmërisë së tij po ashtu Kosova ka mund gjatë viteve të fundit të ketë një mbështetje financiare të mirëfilltë nga Bashkimi Evropian, përmes programeve të tij”, ka thënë Hoxhaj.

Nga ana e tij, edhe Komisioneri Fule e ka falënderuar ministrin Hoxhaj dhe institucionet kosovare për bashkëpunimin e treguar duke thënë se ka bërë gjithçka gjatë mandatit të tij që Kosova të nisë përmbushjen e aspiratës për të qenë më afër BE-së, anëtarësimin në organizata dhe përfshirjen në iniciativat rajonale.

Duke folur për takimin në Beograd, Fule ka thënë se ai ka qenë shumë i rëndësishëm për BE-në dhe veçmas për Kosovën, pasi për herë të parë ka marrë pjesë një ministër i jashtëm i Kosovës.

“Ne sapo kishim një takim shumë të mirë me ministrin duke shikuar prapa për ato pesë vitet e shkuara, por njëkohësisht edhe duke shikuar përpara. Vetëm dje ishte një takim shumë i rëndësishëm në Beograd, e posaçërisht shumë i rëndësishëm për Kosovën dhe po ashtu i rëndësishëm për ne këtu në Bashkimin Evropian, ta sjellim për të parën herë në Beograd Ministrin e Jashtëm të Kosovës. Mbi të gjitha bëmë të mundur ta sjellim për herë të parë me programet e qeverisjes ekonomike edhe Kosovën më afër BE-së. Një platformë që do ta ndihmoj më tutje Kosovën që në të ardhmen të bëhet një anëtare e barabartë e BE-së”, ka thënë Fule.

Pas takimit me Komisionerin për Zgjerim, Hoxhaj ka bashkëbiseduar edhe me gazetarë të shumtë të akredituar në Bruksel në kuadër të forumeve të organizuara nga Klubi i Gazetarëve.

Aty kryediplomati kosovar ka folur për politikën e jashtme të Kosovës, zhvillimet përbrenda, e veçmas vizitën në Beograd dhe si e sheh Kosova dialogun me Serbinë në vitet e ardhshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat