Albin Kurti ia kthen Lutfi Hazirit

Kosova

Albin Kurti ia kthen Lutfi Hazirit

Më: 23 tetor 2014 Në ora: 21:01

Albin Kurti ka qëndruar sot në Pejë ku ka takuar anëtarësinë e kësaj Lëvizje. I pari i VV-së është pyetur edhe për deklaratat e nënkryetarit të LDK-së, Lutfi Haziri, i cili për Kurtin ka thënë se është “hajn i pulave”.

“Si duket dikush e ka mizën ndër kapuç”, ka thënë shkurt Kurti duke komentuar atë që ka thënë Haziri.

Në Pejë, Kurti ka shprehur sigurinë se qeverisë Thaçi po i vjen fundi. Ndërsa, ka kritikuar presidenten Atifete Jahjaga.

“Presidentja në takime na thoshte nuk ndërhyj tek Flora, e ndërsa ndërhynte tek ne. Presidentes nuk i bie të ndërhyjë tek Flora, sepse ajo dhe Flora janë bashkë. Kjo punë duket qartazi se pati një skenar që, nga takimet e shumta, të shkojmë tek një tryezë edhe me Thaçin . E, kompromisi me ata që e kanë kapur shtetin është vazhdim i kapjes së shtetit”, ka thënë Kurti për TV Dukagjinin.

Ai ka vazhduar duke thënë se këto qëndrime ia kanë bërë të qarta presidentes.

“Kosova nuk ka nevojë për zgjedhje të reja; Kosova ka nevojë për qeveri të re që vjen nga shumica parlamentare. E, për këtë janë dy rrugë: Kuvendi i Republikës ose Zanzi-Bari. Por, edhe pas kësaj presidentja e zgjodhi një vend tjetër, që quhet ‘Hamami’, një lokal ky në Prishtinë” , ka deklaruar Kurti duke ironizuar.

“Në Hamam nuk e zë republikën dhe hamami nuk është vend ku mund të shpërlahet republika. Aty mund të shpërlahen individët, por republika jo”, ka shtuar ai.

Kurti po ashtu ka sqaruar pozicionin karshi partive LDK-AAK-Nisma, duke thënë se e keqja e madhe që quhet PDK, i ka bërë bashkë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat