Blloku i drejtohet Presidentes për 127’shin

Kosova

Blloku i drejtohet Presidentes për 127’shin

Më: 23 tetor 2014 Në ora: 13:45

(E plotësuar) - Sikurse deputetët e minoriteteve,m edhe deputete e bllokut pas-zgjedhore (LDK-AAK-Nisma) i kanë kukuar Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga që të dërgohen në Gjykatën Kushtetues një kërkesë për sqarime shtesë në pikën “127” të vendimit të saj që lidhet me dilemat se kush është grupi më i madh parlamentar dhe kujt i takon posti i Krye-parlamentart. Këtë proces e kishte nisur PDK’ja.
Presidentja ditë më parë ia ka refuzuar një kërkesë të të tillë minoritareve (sqarimi i 127’shit nga Kushtetuesja), por mbetet të shihet nëse do të veprojë njëjtë edhe me bllokun pas-zgjedhor.

Ky bllok sot mbajti edhe një takim të radhës, dhe siç raportoi Express, atyre nuk u pëlqyen deklaratë e fundit të Liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurti që ata i quajti hajna të ligës së dytë, kurse PDK’në hajna të supërligës.

Më poshtë mund ta lexoni të plotë kërkesën e LAN’it:

Nga: Isa Mustafa, Kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës

Ramush Haradinaj, Kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës

Fatmir Limaj, Kryetar i Nisma për Kosovën

Për: Znj. Atifete Jahjaga, Presidente e Republikës së Kosovës

Lënda: Kërkesë për t’ju drejtuar Gjykatës Kushtetuese

Datë: 23 tetor 2014

E nderuara Presidente Jahjaga,

Duke pasur parasysh rolin tuaj kushtetues i cili ju obligon të siguroni funksionimin kushtetues të institucioneve të Kosovës dhe duke konsideruar se si përfaqësuese e unitetit të popullit mund të kontribuoni në konstituimin sa më të shpejtë të institucioneve të vendit, pas konsultimeve tona të vazhdueshme me ju dhe kërkesën tuaj që ne të dalim me propozim, kërkojmë nga ju që t’i drejtoheni Gjykatës Kushtetuese për të sqaruar si mund të zbatohet Aktgjykimi nr. KO.119/14 në rrethanat që janë krijuar. Disa nga rrethanat faktike që duhet të shqyrtohen janë si vijon:

·Më 17 korrik 2014, Kuvendi i Kosovës mbajti seancën konstituive të thirrur nga Presidentja e Republikës së Kosovës. Koalicioni parazgjedhor i udhëhequr nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) propozoi kandidatin Agim Aliu nga rradhët e deputetëve të kësaj partie, për Kryetar të Kuvendit. Kryesuesja e seancës ndërpreu seancën pas dështimit të zgjedhjes së këtij kandidati.

·Më 18 korrik 2014, 30 deputetë të PDK-së dorëzuan kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për të vlerësuar kushtetutshmërinë e Vendimit për zgjedhjen e Deputetit Isa Mustafa Kryetar të Kuvendit, vendim ky i votuar nga 83 deputetë.

·Më 29 korrik 2014, 67 deputetë të Kuvendit të Kosovës dorëzuan përgjigjet e tyre në Kërkesën e PDK-së.

·Më 21 gusht 2014, Gjykata Kushtetuese, me shumicë votash, vendosi se zgjedhja e Deputetit Isa Mustafa për Kryetarit të Kuvendit nuk ishte në përputhje me Kushtetutën sepse propozimi nuk ishte bërë nga grupi më i madh parlamentar.

·Më 26 gusht 2014, Gjykata Kushtetuese publikoi Aktgjykimin e plotë me arsyetim.

·Kryesuesja e Seancës Konstituive caktoi vazhdimin e seancës për datën 12 shtator 2014, por me kërkesën e partisë Lista Srpska, Kryesuesja e shtyu seancën për datën 18 shtator.

·Më 18 shtator 2014, Kryesuesja e seancës konstituive ftoi deputetët për vazhdim të seancës dhe PDK propozoi deputetin Arsim Bajrami për Kryetar të Kuvendit, por kjo kandidaturë mori vetëm 44 vota, të cilat nuk ishin të mjaftueshme për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

·Në momentin e dështimit të kandidaturës së Deputetit Arsim Bajrami, kryesuesja e seancës konstituive, pa konsultim me grupet parlamentare, ndërpreu seancën konstituive dhe njoftoi deputetët se do të thirren për vazhdim të seancës me shkrim.

·Kryesuesja e seancës ftoi vazhdimin e seancës konstituive për datën 2 tetor 2014. Megjithatë, më pak se 24 orë pa filluar seanca, pra me datë 1 tetor në orën 17:45, ajo dorëzoi kërkesë në Sekretarinë e Kuvendit për të shtyrë seancën duke u arsyetuar se nevojitet kohë që Presidentja e vendit të zhvillojë konsultime me partitë politike. Të njëjtën ditë, Zyra e Presidentes së Republikës u deklarua se ajo nuk kishte kërkuar shtyrjen e seancës, meqë këto, sipas saj, janë dy procese të ndara që nuk interferojnë në njëra-tjetrën.

·Më 2 tetor 2014, më shumë se gjysma e deputetëve të Kuvendit të Kosovës (pra më shumë se 61) u paraqitën ne Kuvend duke e konsideruar si arbitrar vendimin e Kryesueses për shtyrje të seancës, meqë, sipas tyre, zgjidhja për konstituimin e Kuvendit duhet të arrihet në Kuvend, e jo duke zvarritur mbajtjen e seancës konstituive.

·Nga data 2 tetor, deputetët e Kuvendit vazhdimisht i kanë bërë thirrje Kryesueses Flora Brovina që të thërrasë vazhdimin e seancës konstituive në mënyrë që kjo seancë të realizohet, sic përcaktohet në paragrafin 110 të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.

·Kryesuesja Flora Brovina ka vazhduar të deklarojë se seanca konstituive nuk do të caktohet pa marrëveshje politike.

·Më datë 2 tetor 2014, 62 deputetë të Kuvendit të Kosovës kërkuan vazhdimin e seancës konstituive më 9 tetor dhe ftuan deputetët të marrin pjesë në këtë seancë.

·Me datë 8 tetor, Kryesuesja Flora Brovina ftoi partitë politike në konsultim, ku LDK, Lista Srpska, KDTP, dhe shumica e diskutuesve të tjerë prezent kërkuan që kjo seancë e kërkuar nga 62 deputetë të mbahej me arsyetimin se zgjidhja dhe dalja nga kjo bllokadë institucionale mund të arrihet vetëm nëse deputetët debatojnë rreth gjetjes së zgjidhjes në Kuvend. Përfaqësuesja e LDK-së, në emër të deputetëve nënshkrues të Kërkesës, ftoi Znj.Brovina t’a kryesojë seancën dhe ftoi të gjithë deputetët që të marrin pjesën në vazhdim të seancës. Megjithatë, Kryesuesja Flora Brovina injoroi këtë kërkesë dhe tha se seanca nuk mund të mbahet dhe se ajo refuzon t’a kryesojë.

·Në të njëjtën datë, gjatë konsultimeve, Kryesuesja Flora Brovina deklaroi se ajo refuzon të udhëheqë vazhdimin e seancës dhe se nuk pranon vazhdim të seancës pa marrëveshje politike. Të njëjtën gjë e potencoi edhe deputeti Adem Grabovci, përfaqësues i PDK-së.

·Me datë 13 tetor 2014 dhe 16 tetor 2014, Kryesuesja Flora Brovina dhe Deputeti i PDK-së Adem Grabovci deklaruan për media se nuk do të ketë vazhdim të seancës konstituive pa marrëveshje politike. Këto deklarime u përsëritën në vazhdimësi.

·Kanë kaluar më shumë se 4 muaj nga mbajtja e zgjedhjeve parlamentare të 8 qershorit dhe shumica parlamentare në Kuvend (respektivisht, LDK, VV, AAK, NISMA dhe partitë e tjera) nuk kanë treguar gatishmëri për koalicion me PDK-në. Në rrethana të tilla, PDK nuk ka votat e mjaftueshme (61 vota) për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit. Kjo kohë ka vërtetuar se pavarësisht të drejtës për propozim, PDK nuk do të arrijë të sigurojë votat e mjaftueshme për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit.

·Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese Nr. KO.119/14 ka konstatuar se grupi më i madh parlamentar është partia që ka fituar më së shumti vota në zgjedhje, që në këta rast është PDK dhe kjo parti ka të drejtën e propozimit të kandidatit për kryetar të Kuvendit. Mirëpo, i njëjti Aktgjykim poashtu sqaron se deputetët mund të votojnë ‘për’, ‘kundër’ apo ‘abstenim’. (Shih paragrafet 124-125 të Aktgjykimit).

·Aktgjykimi Nr.KO.119/14 ka përdorur analogjinë e Aktgjykimit Nr. KO.103/14 për të interpretuar se cili është grupi më i madh parlamentar. (Shih paragrafet 114-115 të Aktgjykimit KO.119/14).

·Në paragrafin 127 të Aktgjykimit KO.119/14, Gjykata ka konstatuar se është “e drejtë dhe detyrë e deputetëve për të gjetur mënyrën për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit”.

·Me qëllim të gjetjes së mënyrës për të zgjedhur Kryetarin e Kuvendit dhe për të konstituuar Kuvendit, 62 deputetë të Kuvendit, më 9 tetor 2014, janë mbledhur në sallën plenare dhe kanë diskutuar për gjetjen e kësaj zgjidhjeje duke përsëritur kërkesën për deputetët e PDK-së (të cilët e kishin bojkotuar Kuvendin) që edhe ata të merrnin pjesë në këtë diskutim dhe duke përsëritur kërkesën që Flora Brovina të drejtonte seancën. Shumica e deputetëve deklaruan se ata janë të interesuar të zbatojnë aktgjykimin e gjykatës kushtetuese, por duhet të gjendet mënyrë që kjo të bëhet duke respektuar vullnetin e lirë dhe jodetyrues të deputetëve, që nënkupton se pavarësisht të drejtës për propozim të Kryetarit, deputetët kanë të drejtë të votojnë ‘për’, ‘kundër’ ose ‘abstenim’.

·Më datë 20 tetor 2014, 17 deputetë të Kuvendit të Kosovës që përfaqësojnë komunitetet joshumicë në Kuvend i dorëzuan Kërkesë Presidentes së Republikës që ajo të kërkojë sqarim nga Gjykata Kushtetuese se si të dilet nga bllokada institucionale në rrethanat kur grupi që ka të drejtën të propozojë Kryetarin e Kuvendit nuk po arrinë të sigurojë votat e mjaftueshme në Kuvend.

·Në rrethana të tilla, ku PDK nuk po arrinë të sigurojë shumicën e nevojshme për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, vendi ka mbetur pa institucione, meqë pa zgjedhjen e Kryetarit dhe nënkryetarëve nuk mund të konstituohet Kuvendi, si dhe pa konstituimin e Kuvendit nuk mund të zgjedhet Qeveria e re.

Prandaj, duke pasur parasysh që vendi është në bllokadë institucionale dhe e vetmja mënyrë për të ecur përpara me konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë është nëse deputetëve u sqarohet se cilët janë hapat kushtetues për të zbatuar Aktgjykimin e Gjykatës në përputhje me mandatin e tyre të lirë, si dhe duke pasur parasysh kompetencat e Presidentes e cila ka të drejtë të referojë cështje kushtetuese në këtë Gjykatë, propozojmë që t’i drejtoheni Gjykatës Kushtetuese me këtë:

KËRKESË PËR SQARIM

Meqë Gjykata ka konstatuar në Aktgjykimin KO.119/14 se Kuvendi nuk konstituohet pa zgjedhjen e Kryetarit dhe Nënkryetarëve, si mund të konstituohet Kuvendi nëse propozimi për Kryetar Kuvendi nga grupi më i madh parlamentar (sic është interpretuar nga Gjykata) dështon për shkak se ky grup nuk arrin të fitojë shumicën e nevojshme në Kuvend për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit? Në funksion të zbatimit të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese KO.119/14 dhe në përputhje me mandatin e lirë të deputetëve, cilat janë rrugët kushtetuese që deputetët e Kuvendit të Kosovës mund të ndërmarrin në mënyrë që të realizohet konstituimi i Kuvendit në rrethanat e sipërpërmendura?

Në Kërkesën për Sqarim të Rastit KO 29/11 (par.8) dhe Kërkesën për Sqarim në Rastin Nr. KI 08/09 (par.5), Gjykata ka dhënë përgjigje në pyetjet e kerkuara duke pasur parasysh “rëndësinë e jashtëzakonshme të rastit.” Në rastin konkret, vlerësojmë se kërkesa për sqarime nga Gjykata ka rëndësi të jashtëzakonshme për zhbllokimin e procesit për krijimin e institucioneve në vend, përkatësisht, konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë. Për më tepër, duke konsideruar se rrethana të tilla bllokuese në formimin e institucioneve mund të krijohen edhe në legjislaturat e ardhshme, mendojmë se është e rëndësishme që ky sqarim të parandalojë raste të tilla edhe për të ardhmen.

Prandaj, duke konsideruar se pa këtë sqarim të të drejtave dhe detyrave të deputetëve vendi do të vazhdojë të mbetet në bllokadë institucionale, në emër të deputetëve të LDK, AAK dhe NISMA, ne kërkojmë me respekt nga Shkëlqesia juaj që t’i drejtoheni Gjykatës Kushtetuese me kërkesë për sqarim.

Me respekt,

Isa Mustafa Ramush Haradinaj Fatmir Limaj

-----

Koalicioni katërpalësh ka mbajtur sot një takim për të vendosur se si do të veprojnë në lidhje me sqarimin e pikës 127.
Në emër të Bllokut, Ramush Haradinaj ka theksuar se tani po hyjnë në fazën e veprimit, ndërsa ka bërë të ditur se nëse presidentja nuk vepron, do të veprojnë vetë ata.

"Kemi hyrë në fazën e veprimit. Ne kemi hartuar një kërkesë, të cilën fillimisht do t'ia dorëzojmë presidentes. Mirëpo, nëse presidentja nuk vepron, atëherë ne do të marrim masa", ka thënë Haradinaj pas takimit.

----------

Ramush Haradinaj nuk ka dashur t’i përgjigjet akuzës së Albin Kurtit se LDK, AAK dhe NISMA janë hajna të ligës së dytë.
Haradinaj, pas takimit me Bllokun, ka thënë se deklaratat e tilla nuk janë një gjë e mirë, derisa ka thënë se kanë punë shumë më të rëndësishme se sa të merren me akuza të tilla.

“Nuk kemi pasur kohë të merremi me deklarata të tilla. Në fakt, kemi shumë punë më të rëndësishme se sa deklaratat që bëhen në publik. Normalisht, nuk është një gjë e mirë, mirëpo, nuk jemi marrë me këtë çështje”, ka thënë ai.

Nis takimi i Bllokut

Ka filluar takimi me përfaqësuesit e partive të bllokut LDK-AAK-Nisma dhe VV.

Liderët e këtyre partive, janë mbledhur pas ngjarjeve të fundit, ky kryetari i LDK-së, Isa Mustafa dhe ai i AAK-së, Ramush Haradinaj, ishin bashkëpjesëmarrës në disa ngjarje e takime me kryetarin e PDK-së, Hashim Thaçi.

Ndërkohë, dy rivalët kryesorë, LVAN në njërën anë dhe koalicioni i PDK-së në anën tjetër, ende nuk kanë pasur ndonjë lëvizje nga qëndrimet e tyre të mëhershme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat