Blloku, te “baba” se te “baba”!

Kosova

Blloku, te “baba” se te “baba”!

Më: 23 tetor 2014 Në ora: 11:51

Tashmë është vendosur. Koalicioni paszgjedhor LDK-AAK-NISMA dhe VV! pas shumë dilemave e mëdyshjeve, bisedimeve por edhe takimeve si mes vete ashtu edhe me Presidenten Jahjaga nuk ka më asnjë mjet (legal) për të hapur shteg në zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit përpos atij që sërish t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.
Kjo vjen edhe për shkakun që Jahjaga tashmë e ka bërë të qartë që ajo vet nuk do ta pyesë Kushtetuesen. Prandaj ishte ndoshta vetëm humbje kohe që grupi i deputetëve të pakicave u “ndërsye” ta pyeste Presidenten për këtë çështje.

Tekefundit, roli i Jahjagës duket që po mbivlerësohet. Mjetet e saj janë më se të kufizuara. Varshmëria e saj me ndërkombëtarët (sidomos amerikanët) poashtu.

Dhe kur jemi tek këta të fundit: është më se e qartë që fuqitë perëndimore s’po duan ta ndihmojnë Bllokun ndryshe së paku me propagandë e deklarata do t’ia kishin bërë të qartë PDK-së që s’e ka shumicën dhe se “praktikat” perëndimore janë të tilla që kur s’e ke shumicën shkon në opozitë. Kjo s’po ngjet.

Në anën tjetër Thaçit dhe PDK-së nuk po i ngutet sepse e kanë edhe karrigen e kryesues së Kuvendit por edhe “vendimin” e “babës”.

E ky i fundit tashti me siguri po i fërkon duart: këtë javë do t’i trokasin në derë ata që në sytë e tij e “denigruan” personalitetin e tij dhe tashti sërish do të kërkojnë “sqarime” për vendimin e GJK. Sipas gjase jo (vetëm) për pikën 127 por thjesht si të “jetësohet” ai vendim.

Kjo është vërtetë një pyetje interesante. Por jo domosdoshmërisht aq sa edhe “baba” do ta merr në shqyrtim.

Dhe nëse kjo ngjet, pra që GJK as të mos e shqyrtojë fare kërkesën e Bllokut-atëherë Kosova është në prag të zgjedhjeve të reja. Sepse zgjidhje, siç edhe po shihet, në këto rrethana, s’do të ketë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat