Jahjaga u takua sot me Mustafën

Kosova

Jahjaga u takua sot me Mustafën

Më: 21 tetor 2014 Në ora: 14:37

Është mbajtur sot një takim kurtuazie në mes të Presidentes Atifete Jahjaga dhe kreut të LDK-së, Isa Mustafës.
Presidentja Atifete Jahjaga ka zhvilluar sot një takim me Kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.
Takimi i zhvilluar në Presidencë ka qenë i mbyllur për media.

Politiko.net mëson se në këtë takim Jahjaga dhe Mustafa kanë biseduar, ndër të tjera, edhe për situatën aktuale politike në vend, me theks të veçantë për ngërçin institucional, i cili po mban të bllokuar tash e disa muaj institucionet e Kosovës.

Takimi Jahjaga-Mustafa është konfirmuar për Politiko.net edhe nga Arbër Vllahiu, Zëdhënësi i Presidentes, por i cili ka thënë se takimi ishte më shumë “takim kurtuazie” dhe pa ndonjë agjendë politike.

“Takimi me Kryetarin e LDK’së ka qenë takim kurtuazie, pa ndonjë agjendë politike. Z. Mustafa e falënderoi Presidenten për ftesën për pjesëmarrje në Darkën e Lamës në Gjakovë”, deklaroi Vllahiu.

Presidentja Jahjaga ka takuar disa herë liderët politikë, në tentim për të gjetur një zgjidhje që do ta nxirrte vendin nga kriza politike, por deri më tash nuk është parë që dy kampet të jenë të gatshme për një marrëveshje.

Një ditë më parë, ndërkaq, partitë parlamentare të minoriteteve i dorëzuan Presidentes Jahjaga kërkesën që t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për ta interpretuar Pikën 127 të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me zgjedhjen e Kryeparlamentarit.

Në rast se kjo kërkesë e minoriteteve nuk gjen gatishmërinë e Presidentes për interpretim, atëherë pritet që Blloku t’i drejtohet vetë Kushtetueses, nga vendimi i të cilës pastaj varen hapat e ardhshëm në drejtim të zhbllokimit të ngërçit institucional.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat