Krasniqi: Blloku duhet t’i lë anash interesat personale për ta zgjidhur ngërçin

Kosova

Krasniqi: Blloku duhet t’i lë anash interesat personale për ta zgjidhur ngërçin

Më: 21 tetor 2014 Në ora: 10:39

Barrikadimi i dy blloqeve politike, PDK-ja në njërën anë dhe Blloku VLAN në anën tjetër ka lënë hapur mundësinë e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Por, jo të gjithë janë pro zgjedhje.

Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Lutfi Haziri ka thënë se zgjedhjet nuk do të prodhojnë asgjë.

“Për ne zgjedhjet nuk janë opsion. Mbajtja e zgjedhjeve nuk do të prodhojë asgjë përpos një rezultat pak a shumë të njëjtë dhe do të nxirrnin të njëjtën situatë”, ka thënë ai për Zëri.

Ndërkaq, ministri i Kulturës, njhëherësh edhe zëdhënës i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se ka hapësira për zgjidhje, por se Blloku duhet të dal jashtë interesave personale që kjo zgjidhje të arrihet.

“Ne mendojmë se ka hapësirë për zgjidhje, por për ta arritur këtë objektiv liderët e Bllokut duhet të dalin përtej interesave personale”.

Ndërkaq, Sekretari i Përgjithshëm i PDK-së, Basri Musmurati ka thënë për gazetën se PDK-ja është e gatshme për zgjedhje dhe se si parti gjithmonë ka qenë që të respektohet Kushtetuta dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
“PDK-ja gjithnjë ka pasur qëndrim që të respektohet Kushtetuta dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese për krijimin e institucioneve të vendit, e para që të zgjidhet kryetari i Kuvendit. Mirëpo, nëse kjo nuk ndodh, atëherë, me siguri që do të shkojmë në zgjedhje të jashtëzakonshme. PDK-ja nuk frikësohet nga zgjedhjet”.

Ndërkaq, Erzen Vraniqi nga Vetëvendosje ka thënë se partia e tyre nuk i frikësohet zgjedhje të jashtëzakonshme por se ai shprehet se ato janë të panevojshme.

“Ne nuk i frikësohemi zgjedhjeve, por mendojmë dhe qëndrojmë te ajo që zgjidhja është brenda Kuvendit të Republikës së Kosovës me zbatimin e shumicës parlamentare”, ka thënë ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat