Presidentja nuk ka vendosur nëse do të shkoj në Beograd

Kosova

Presidentja nuk ka vendosur nëse do të shkoj në Beograd

Më: 20 tetor 2014 Në ora: 08:18

Pankarta e madhe e vendosur në stadiumin e Partizanit më mbishkrimin “Kosova është Serbi”, nuk bën të ndikojë në agjendën shtetërore të Kosovës. Kështu vlerësojnë, njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare.
Sipas tyre, presidentja e Kosovës, nuk duhet të anulojë pjesëmarrjen në konferencën e Beogradit e paraparë të mbahet më 1 nëntor. Ndërkohë, Arbër Vllahu, zëdhënës i presidentes ka thënë se ende nuk kanë vendosur nëse presidentja Jahjaga do të marrë pjesë në konferencën e organizuar në Beograd.

“Ftesa e grupit evropian të Komisionit Trilateral për pjesëmarrje në konferencën e organizuar në Beograd, është duke u analizuar dhe vlerësuar. Opinioni publik në Kosovë do të njoftohet me përgjigjën e Zyrës së presidentes, brenda ditësh”, ka thënë Vllahiu.

Për profesorin e marrëdhënieve ndërkombëtare, Afrim Hoti, zhvillimet e fundit në Serbi nuk janë arsye që presidentja Jahjaga të mos jetë e pranishme në konferencë në Beograd. Sipas tij, këto zhvillime nuk do të duhej të ndikonin në agjendën e të parës së shtetit.

“Mendoj se pavarësisht zhvillimeve ditore, presidentja Jahjaga, duhet me ndjekë agjendë dhe mandat të qeverisjes shtetformuese dhe në këtë drejtim për aq kohë sa ftesat t’i vijnë nga çfarëdo mekanizmi serioz ndërkombëtar, ajo duhet t’u përgjigjet pozitivisht. E kuptoj edhe frustrimin dhe tensionet e krijuara kohëve të fundit, sidomos pas zhvillimit të ndeshjes mes përfaqësueses së Shqipërisë me atë serbe, megjithatë nëse duhet dikush të izolohet, ajo duhet të jetë Serbia dhe në asnjë mënyrë Kosova e Shqipëria”, ka thënë Hoti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat