A do ta bëjnë Qeverinë PDK, LDK dhe AAK?

Kosova

A do ta bëjnë Qeverinë PDK, LDK dhe AAK?

Më: 18 tetor 2014 Në ora: 14:08

Fillimi i takimeve joformale ndërmjet Hashim Thaçit, Isa Mustafës dhe Ramush Haradinajt duket se do t’i hapë rrugë formimit të institucioneve. Por, mbetet të shihet se a do të munden takimet tashmë të shpeshta ndërmjet tyre, ta zhbëjnë marrëveshjen e Bllokut LDK-AAK-NISMA, të cilit iu bashkua edhe VV e Albin Kurtit.
Shfaqja e Hashim Thaçit, Isa Mustafës dhe Ramush Haradinajt në dy evente të njëpasnjëshme në kulmin e bllokadës politike në vend, ka hapur një mundësi për zhbllokimin e situatës, duke nxitur edhe spekulime për mundësinë e një marrëveshje të re ndërmjet PDK, LDK dhe AAK për krijimin e institucioneve. Thaçi, Mustafa dhe Haradinaj, që nga 8 qershori kur u mbajtën zgjedhjet parlamentare, nuk janë takuar publikisht, derisa shpeshherë kanë shkëmbyer akuza të ashpra ndërmjet tyre. Dy zyrtarët më të lartë të LDK’së dhe AAK’së në vazhdimësi kanë hedhur poshtë mundësinë për takime me Thaçin dhe bashkëpunimin me të.

Por gjithçka ka marrë kahe tjetër, pas një ‘party’ të organizuar nga ambasada amerikane, në një lokal, në Prishtinë me rastin e vizitës së senatorit Chris Murphy. Aty janë ftuar Thaçi, Mustafa dhe Haradinaj, por jo edhe dy zyrtarët tjerë të koalicionit të Bllokut, Limaj dhe Kurti.

Thaçi, Mustafa dhe Haradinaj i janë përgjigjur edhe ftesës së Presidentes Jahjaga, të shtunën,për Darkën e Lamës, ku edhe kanë shtrënguar përsëri duart. Mbetet të shihen nëse takimet joformale të tyre do të konkretizohen edhe në ndonjë marrëveshje eventuale për formimin e institucioneve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat