“Katundar” a “qytetar”?!

Kosova

“Katundar” a “qytetar”?!

Më: 18 tetor 2014 Në ora: 12:37

Basri Shala, i lindur në katund, kujton me mall kohën e kaluar. Ai ka pasur dy miq: Lopën dhe librin, me të cilët e ka kaluar kohën më të madhe, që nga mëngjesi deri në mbrëmje.
“Fëmijëria ime është shumë e ndryshme nga ajo e djalit tim. Unë e çoja lopën në kullosa pa lindur dielli në mëngjes. Ndeja veç me të e me librin, derisa vinte koha për me shkua në shkollë. Në ara i bëja detyrat e shtëpisë”, kujton Shala.

Lojërat që ka luajtur ai me fëmijët e tjerë, janë pothuajse të njëjta me të gjithë fëmijët e fshatrave. ‘Guxha’, ‘peta’, futboll me shishe ose me top të bërë nga leckat, ‘kuti dhe kliçka’, e të tjera.

“Avash, avash jam rritur në këtë frymë”, thotë Shala i njohur si ‘Virusi’, i cili sot jeton në Fushë Kosovë dhe është njëri nga aktorët më të suksesshëm në kinematografinë kosovare.

Ai konsideron se emërtimi ‘katundar’ i përket një njeriu që ka lindur në katund. E për këtë, Shala nuk ka komplekse fare, madje krenohet me prejardhjen e tij. Mirëpo njëherë e një kohë është ndier keq. Kjo ka ndodhur kur ka ardhë sefte në qytet.

“Hmm, njëherë jam ndje shumë keq, kur e kam humbur rrugën. Më shumë jam tut në mes të Prishtinës se në mes të malit kur më ka humb lopa”, shprehet Shala duke qeshur. “Gjithçka më ka pëlqye në qytet”, vazhdon ai.

Ka pasur ditë kur i riu nga fshati nuk ka bërë asgjë, veçse ka shëtitur rrugëve të Prishtinës. E kjo i ka ndihmuar me njohtë më mirë qytetin.

“Pastaj kur e kam pa për herë të parë korzonë, ka qenë hera e parë që jam tmerrua nga numri i njerëzve, derisa u mësova dhe fillova edhe unë me dal e mu sill poshtë e përpjetë bashkë me turmën”, thekson Shala.

Ai thotë se kurrë nuk ka pasur konflikte me njerëz të qytetit, por ka një përvojë të keqe me një vendas të qytetit në një rast mjaft të vështirë. /Tribuna/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat