Andin Hoti: Për mua dhe familjen, Ukshin Hoti është i gjallë deri sa të mos dëshmohet e kundërta

Kosova

Andin Hoti: Për mua dhe familjen, Ukshin Hoti është i gjallë deri sa të mos dëshmohet e kundërta

Nga: Mimozë Lakna Më: 17 tetor 2014 Në ora: 11:31

Andin Hoti, djali i veprimtarit të shquar të çështjes kombëtare, Ukshin Hoti, flet për gazetën “Bota sot”, lidhur me informacionet që i posedon familja lidhur me fatin e veprimtarit.

Andini tregon se Ukshin Hoti ishte liruar më 16 maj 1999 nga burgu i Dubravës derisa pas lirimit nga burgu nuk e kishte parë më askush.

”Siç e dini babi ka qenë i dënuar nga 17.05.1994 deri më 17.05.1999. Gjatë kësaj kohe babi ka qenë i transferuar në disa burgje në Kosovë dhe në Serbi. Burgjet në të cilat e kam vizituar babin, kane qenë: Në Prizren, në Dubravë, në Nish dhe në Mitrovicë të Sremit. Sipas të gjitha informatave që ne kemi, babi me 16.05.1999 (ditë e Diel) është liruar nga burgu i Dubraves, edhe pse në vikende administratat e burgut nuk kanë punuar asnjëherë më parë (gjithmonë sipas informatave). Të gjithë të burgosurit që ne kemi kontaktuar në lidhje me rastin e babit, kanë dhënë këto detaje për lirimin e babit: Ukshin Hotit i kanë thënë të bëhet gati pasi qe do të lirohet nga burgu gjate dites (nuk e di orën e saktë por më duket 12), babi është larguar me tre gardian nga burgu dhe pas daljes nga dera e brendshme e burgut, asnjë nga të burgosurit nuk e ka parë babin më (e them dera e brendshme, pasi që burgu i Dubraves ka pasur 2 mure, nga të cilët ka qenë e pamundur të shihet hapësira jashtë)”,rrëfen Andini për “Bota sot”.

Andin Hoti, tregon se pas përfundimit të luftës familjarët ishin thirrur për ta identifikuar një kufomë që mendohej se është e Ukshin Hotit, mirëpo kishte rezultuar se kufoma nuk ishe e tij.

“Pas përfundimit të luftës, është thirrur halla ime Myrvete Kasumi (e cila ka qenë e angazhuar me rastin e babit) për ta verifikuar një kufomë e cila ka qenë jashtë mureve të burgut të Dubraves. Halla së bashku me familjar të tjerë e kanë verifikuar kufomën, dhe ka rezultuar të mos jetë e Ukshin Hotit. Pastaj kemi pasur disa raste kur na është thënë që Ukshin Hoti është gjallë dhe po mbahet në burgje sekrete Serbe”,tregon ai.

Familja Hoti, nuk kishte pushuar asnjëherë së kërkuari kufomën e familjarit të tyre, duke dhënë edhe shuma të mëdha parash vetëm që të dihet për fatin e tij, mirëpo asnjëherë skishin marrë përgjigje mbi fatin e tij.

“ Kemi pasur kontakte edhe me zyrtar Serb, gjithashtu edhe me të tillë qe kanë kërkuar shuma të mëdha të hollash (dhe i kemi dhëna ato shuma), mirëpo asnjë nga to nuk ka mundur të verifikohet, pasi që gjithmonë në fund janë larguar pa dhënë përgjigjen e saktë se ku është Ukshin Hoti. Kemi shkruar shumë letra e kërkesa drejtuar institucioneve kombëtare dhe atyre ndërkombëtare, për të zbardhur fatin e Ukshin Hotit, mirëpo deri më sot nuk kemi marrë përgjigje, shton ai”,shton Andini.

Andini thotë se për të dhe për familjen Ukshin Hoti është i gjallë përderisa nuk vërtetohet se ka vdekur apo nuk zbulohet fati i tij.

“Për mua dhe të gjithë familjen e Ukshin Hotit, Ukshin Hoti është i gjallë dhe do të jetë i tillë deri sa të dëshmohet e kundërta, pasi që konsiderojmë që zhdukja e tij është plotike. Ne do të mundohemi deri në fund të zbulojmë fatin e babit tim, cili do qoftë fati i tij (i gjallë apo i vdekur)”, thekson ai.

Andini me këtë rast në emrin e tij dhe të familjes fton të gjithë ata që kanë informata rreth fatit të Ukshin Hotit, t`i tregojnë ato.

“Unë e shfrytëzoj rastin që në emër timin dhe në emër të familjes t'i ftoj dhe t'ju lutëm të gjithë atyre, që dinë çfarëdo qoftë informate mbi fatin e Ukshin Hotit, t'na kontaktojnë neve ose ta paraqesin në institucionet përgjegjëse për të zhdukur”,përfundon ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat