Analistët nga Prishtina e Beogradi: Politikanët duhet të kenë kujdes, mund të eskalojë situata

Kosova

Analistët nga Prishtina e Beogradi: Politikanët duhet të kenë kujdes, mund të eskalojë situata

Më: 16 tetor 2014 Në ora: 15:21

Situata e tensionuar në mes të serbëve dhe shqiptarëve, pas ndërprerjes së ndeshjes së futbollit në mes të dy kombëtareve në Beograd, mund të eskalojë, thonë analistë nga Prishtina e Beogradi. Ata u bëjnë thirrje politikanëve nga të dyja anët që, në vend të deklaratave nxitëse, të provojnë ta qetësojnë situatën.

Rajoni i Ballkanit, historikisht ka dëshmuar se i nevojitet vetëm një shkëndijë, që të ndizen luftëra, të cilat kanë përfunduar me qindra-mijëra të vrarë dhe masakruar.

Mjaftoi një ndeshje futbolli në mes të fqinjëve, serbë e shqiptarë, të ndryshojë edhe agjendën politike në mes të dy popujve.

Politikanët serbë, pas incidenteve në stadiumin e Partizanit në Beograd, ku u sulmuan lojtarët e kombëtares së Shqipërisë, kanë nxjerrë deklarata urryese në drejtim të shqiptarëve.
Por sa do të ndikojë kjo ndeshje futbolli e vlefshme për kampionatin evropian të futbollit Francë 2016, të rinisë një konflikt serioz në rajon.

Analistët nga Prishtina e Beogradi e shohin këtë, kryesisht si një pamaturi të politikanëve nga të dyja anët.
Drejtori i Forumit për Raporte Ndëretnike në Beograd, Dushan Janjiq, ka thënë për lajmi.net, se është në dorën e politikanëve, që të mos ndikohen nga urrejtjet e margjinalizuara të tifozëve.

Janjiq bëri fajtorë edhe politikanët serbë, që sipas tij, ka kohë që japin opinione të pamatura, duke filluar edhe nga ideja e ministrit të Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq, për ndarje të Kosovës.

Mirëpo, fluturimin e Dronit me banderolën në të cilën ishte paraqitur harta e Shqipërisë Etnike, në mes të stadiumit të Partizanit, e ka quajtur si një provokim të madh.

“Mendoj se shfaqja e fluturakes (Dron-it) me hartën e Shqipërisë së Madhe, ka qenë një provokim i vërtet, por e di që kjo ide është jashtë qëllimeve të politikanëve nga Kosova dhe Shqipëria. Kjo me siguri nuk i konvenon fare as Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama”, ka thënë Janjiq.

Ai vlerësoi se kjo situatë, përveç kërkon edhe ndërhyrje politikanëve nga të dyja anët, për të qetësuar gjakrat, sipas tij, nevojitet edhe reagimi i ndërkombëtare, me theks të veçantë të zyrtarëve amerikan.

“Kjo situatë kërkon reagim të menjëhershëm të sekretarit të SHBA-ve, Joe Bidden. Dhe mendoj që edhe politikanët shqiptarë duhet të kenë kujdes në atë se çfarë deklarojnë, pasi që ata nuk duhet të jenë vëzhgues seriozë të sportit. Sa i përket politikanëve serbë, joserioziteti i tyre tashmë është treguar me deklaratat e ministrit të jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq, i cili ka dhënë propozimin për ndarjen e Serbisë, gjithashtu edhe deklaratat e shumta të Aleksadar Vulinit. Të gjitha këto janë të papranueshme, pasi që Kryeministri, Aleksandar Vuçiq, është munduar që të shmangë këtë situatë”.

Janjiq, tha se urrejtja e tifozëve serbë, të cilët këndonin kore fashiste ndaj shqiptarëve, gjatë ndeshjes, vije nga tregimet e prindërve të tyre, të bazuara në stereotipet e viteve të 90-ta. Ai tha se këtë urrejtje e ka krijuar edhe situata sociale. Ndërsa, përkrahë iniciativën e Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për të vizituar Beogradin, e cila, sipas tij, mund të ndikojë në uljen e gjakrave.

“Serbia nuk ka asnjë problem me Shqipërinë sa i përket Kosovës. Ajo ndoshta mund të ketë problem me Kosovën.Reagimi i simpatizantëve në stadium, tregon se me kalimin e kohës, është shtuar edhe urrejtja e tyre. Urrejtja e këtyre të rinjve, vije nga tregimet e prindërve të tyre për stereotipet e viteve të nëntëdhjeta dhe të mëhershme. Por, mendoj se në këtë ka ndikuar edhe pakënaqësia sociale që po ndodhë në Europë, e më këtë edhe në Ballkan”.

“Mendoj se e vetmja zgjidhje është anëtarësimin ne NATO dhe BE, dhe në këtë mënyrë të përmirësohet gjendja. Duhet të ndodhë vizita e Edi Ramës, pasi që nuk duhet që politika të bije pre e reagimeve të margjinalizuara. Serbia dhe Shqipëria duhet t’i normalizojnë marrëdhëniet që do të ndikojnë në interes të ndërsjellë. Kjo vizitë do të mund të lehtësonte raportet edhe në mes të Serbisë e Kosovës”.

Incidentin e së martës, drejtori i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), Florian Qehaja, e sheh si një mosgatishmëri e serbëve që të pranojnë shqiptarët si faktor të barabartë në rajon. Ai tha se situata mund të eskaloi nëse, liderët politikët nga të dyja anët, posaçërisht nga Serbia, nuk ndërmarrin masa, që të mos i lejojnë vetës deklarata nxitëse.

“Situata do të mbetet e eskaluar përderisa nuk ka thirrje dhe përkushtim nga elitat politike, në Tiranë, Prishtinë e veçanërisht në Beograd që të distancohen nga veprimet vandale. Mesazhet e elitave politike janë esenciale në këto momente. Në momentin kur dihet që kryeministri aktual në Serbi, Vuçiç është njeriu më me ndikim në Serbi (afër 45% mbështetje) atëherë çelësi i parandalimit të turmave mbetet te ky njeri dhe personat të cilët e rrethojnë. Në të kundërtën, diskursi aktual vetëm sa do ta mbaj situatën e destablizuar duke shkaktuar domino efekt edhe në Maqedoni e Bosnje”.

Qehaja tha për lajmi.net se në këtë rast, mund të lind një konflikt më i madh, në mes të Shqipërisë si anëtare e NATO-s dhe Serbisë, e cila tashmë po e rikonfirmon marrëdhëniet ushtarake me Rusinë.

“Shqipëria e ka pozicionin më të mirë diplomatik në histori që nga pavarësia e saj. Megjithatë, ende është e dobët që të shfrytëzojë të gjitha mekanizmat për të ju kundërvënë Serbisë me mjete politike e diplomatike. Shqipëria duhet që të shfrytëzojë faktin që është anëtare e NATO-s në mënyrë që ta senzibilizojë pozicionin e saj në raport me këtë ngjarje. Aq më parë që Serbia është duke ushqyer marrëdhënie ushtarake e diplomatike shumë të mira me Rusinë - armikun e rideklaruar të NATO-s. BE është një alternativë tjetër ku duhet të senzibilizohen rastet e fundit edhe pse BE bënë tejkalkulimin të stabilitetit dhe rolit të Serbisë - gjë që u pa edhe në deklaratat e zëdhënësit të saj”.
“Në aspektin e sigurisë, Shqipëria duhet të gjej forma për ngritjen e sigurisë së ambasadave dhe përfaqësive të saj dhe si rrjedhojë mos ta bazohet tërësisht në sigurinë e ofruar nga shteti serb sepse nuk mund të thuhet se garantohet zbatimi i Konventës së Vjenës”.

“Ngjarja tashmë është në përgjegjësinë e UEFA-s kështu që nuk shoh ndonjë rol të organizatave tjera të sigurisë. Serbia nuk është anëtare e NATO-s mbi bazën e së cilës do të garantohej vullneti dhe fqinjësia e mirë e shteteve anëtare”, tha Qehaja.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat