Jahjaga: Të takohen liderët

Kosova

Jahjaga: Të takohen liderët

Më: 2 tetor 2014 Në ora: 13:15

(E plotësuar) - Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, në kuadër të procesit të lehtësimit të diskutimeve me liderët e partive politike parlamentare, ka takuar sot në takime të veçanta, kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa, kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj, kryetarin e PDK-së, Hashim Thaçi, kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti si dhe kryetarin e NISMA-s, Fatmir Limaj.
Presidentja Jahjaga përsëriti qëndrimin për gjetjen sa më të shpejtë të zgjidhjes për krijimin e institucioneve të vendit me qëllim të përmbushjes së pritjeve të qytetarëve të vendit për institucione të qëndrueshme dhe për përshpejtimin e proceseve reformuese në vend e të integrimeve euroatlantike. Ajo tha se Kuvendi është institucion autonom dhe deputetët e liderët politikë, në respektim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe të Kushtetutës së vendit, duhet të gjejnë mënyrat për të mundësuar krijimin e institucioneve të vendit, njofton Presidenca.
Presidentja Jahjaga tha se liderët politikë duhet të ofrojnë propozimet dhe sugjerimet e tyre për gjetjen e zgjidhjes, konform kuadrit kushtetues, që në rast të përafrimit të tyre do të ndihmonte edhe në mbajtjen e një takimi të përbashkët ndërmjet tyre.

​Limaj: Blloku nuk do të zmbrapset për asnjë arsye

E fundit në takim ishte Nisma për Kosovën, e përfaqësuar nga Fatmir Limaj dhe Bilall Sherifi.

"Edhe ky ishte një takim konsultativ, ku ne edhe një herë i paraqitëm qëndrimet tona", ka thënë Limaj me të dalë nga takimi.

Ai konsideron që gjithë kjo kohë e humbur ka qenë edhe një mundësi që të gjithë të reflektojnë dhe ta shohin se Blloku është unik në qëndrimin e vet dhe nuk do të zmbrapset për asnjë arsye.

Limaj ka paralajmëruar se kjo situatë do të zgjidhet për një kohë shumë të shkurtë dhe do të bëhet formimi i institucioneve konform ligjeve në fuqi.

Kurti: S’ka takime të përbashkëta, me PDK’në mund të debatojmë vetëm në Kuvend

Albin Kurti, me të dalë nga takimi ka thënë të mos ketë ndonjë risi nga ky takim, ndërsa ka komentuar deklaratat që së fundmi i ka bërë Enver Hasani.

Kurti ka thënë se ka kohë që e njeh Enver Hasanin dhe se ai është tepër cinik për të qenë gjykatës.

Kurti e ka komentuar edhe mundësinë e një takimi të përbashkët të të gjitha partive. Duke e përjashtuar këtë opsion, lideri i VV’së ka thënë se nëse PDK dëshiron të debatojë, atëherë ai mund të vijë që këtë debat ta zhvillojnë në Kuvend.

"Kuvendi është vendi për të debatuar. Edhe PDK mund të vijë, nëse dëshiron debat, por qëndron ajo që takime të tjera të përbashkëta janë të kota", ka thënë Kurti, pas takimit me Presidenten.

Ai ka shtuar se ajo që PDK'ja do, është që në marrëveshjen e 10 shtatorit të vihet edhe nënshkrimi i Hashim Thaçit, mirëpo e ka përjashtuar edhe këtë mundësi.

Ka përfunduar takimi i PDK'së me presidenten.

Kryetari i kësaj partie, Hashim Thaci, pas takimit, ka deklaruar se po angazhohen për gjetjen e një zgjidhjeje për situatën e krijuar.

Ai u ka bërë thirrje partive politike për bashkëpunim, ndërsa ka thënë se veprimet e Bllokut janë të ngutshme.

Thaçi ka thënë se e vetmja zgjidhje e pranueshme për PDK'në, është respektimi i vullnetit të popullit.

Haradinaj: S’kemi ndryshuar qëndrimin

Lideri i AAK’së, Ramush Haradinaj, ka thënë se nuk kanë ndryshuar qëndrimin sa i përket tejkalimit të bllokadës politike.

Ai ka thënë se vazhdimi i seancës konstituive duhet të mbahet javën e ardhshme.

“Ishte takim konsultativ me presidenten. Ia paraqitem presidentes edhe një herë qëndrimin tonë i cili nuk ka ndryshuar. Seanca do të thirret javën e ardhshme, ndërsa për këtë nuk kemi nevojë për aprovimin e presidentes”, ka thënë Haradinaj, pas takimit me Presidenten.

Pas përfundimit të takimit të AAK’së me Presidenten kanë ardhur udhëheqësit e PDK’së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli e Hajredin Kuçi.

Presidentja përfundon takimin me LDK-në, në radhë është AAK-ja

Partitë e bllokut LDK-AAK-Nisma po mbajnë takime të ndara me presidenten Atifete Jahajga. I pari ishte kryetari i LDK-së, Isa Mustafa që vizitojë Jahjagen, ndërsa takimi i radhës është duke u mbajtur me të parin e AAK-së, Ramush Haradinajn.

Kanë vazhduar edhe sot takimet në mes të Presidentes Atifete Jahjaga dhe përfaqësueseve të partive politike parlamentare.

Vazhda e takimeve të Jahjages ka nisur sot me përfaqësuesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), kryetarin Isa Mustafa dhe nënkryetaren Vjosa Osmanin.

Partitë e bllokut LDK-AAK-Nisma, nuk janë përfaqësuar si një grup i vetëm. Pas LDK-së, në takim po qëndron kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj.

Blloku shkon i ndarë te Presidentja, përfundon takimi me LDK’në

LDK-AAK-NISMA dhe Vetëvendosje kanë vendosur të shkojnë te Presidentja ashtu siç edhe janë ftuar.
Takimi i parë i Presidentes ka përfunduar me LDK’në, ku i pranishëm ishte Isa Mustafa me Vjosa Osmanin.

Pas LDK’së në takim me Presidenten kanë hyrë udhëheqësit e AAK’së, derisa në ora 15 Jahjaga do të takohet me Kryeministrin në largim, Hashim Thaçi.

Prej orës 15 nisin takimet në Presidencë, i pari Thaçi

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, u ka dërguar përsëri ftesa liderëve të partive politike për t’i ftuar në takimin e katërt për të biseduar lidhur me gjetjen e një zgjidhej për tejkalimin e bllokadës politike.
Zyrtarët e PDK’së dhe të Presidencës kanë konfirmuar se Jahjaga e Thaçi do të takohen në ora 15 në Presidencë.

Pas PDK’së është ftuar lideri i LDK’së, Isa Mustafa dhe pastaj partitë tjera. Nuk dihet nëse edhe kësaj radhe liderët e partive të Bllokut do të shkojnë bashkë apo ndaras të Presidentja.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat