Hoxhaj: Dialogu shënoi të arritura dhe do të vazhdoj

Kosova

Hoxhaj: Dialogu shënoi të arritura dhe do të vazhdoj

Më: 2 tetor 2014 Në ora: 12:10

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka pritur në një takim deputetin e Bundestagut gjerman nga radhët e CDU-së, Roderich Kieseëetter dhe këshilltarin për Politikë të Jashtme të Grupimit Parlamentar CDU-CSU, Hans-Joachim Falenski, me të cilët ka bashkëbiseduar për ecjen e shtetit të Kosovës në planin e njohjeve, anëtarësimeve dhe fuqizimit të subjektivitetit ndërkombëtar.
Sipas një njoftimi të MPJ-së, Hoxhaj i ka informuar për të arriturat e dialogut, procesin e përmbushjes së marrëveshjeve të arritura dhe përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për ta vazhduar dialogun ndërshtetëror me Qeverinë serbe.

“Qeveria e Kosovës ashtu sikurse më parë me fillimin e dialogut me Serbinë i mbetet besnik zotimeve dhe obligimeve ndërkombëtare për t’i përmbushur të gjitha marrëveshjet që janë në interes të normalizimit të marrëdhënieve mes dy shteteve. Njëherësh, ne mbështesim vazhdimin e dialogut që do të përfundonte me normalizimin e plotë të marrëdhënieve”, ka thënë Hoxhaj.

Më tej, Hoxhaj ka prezantuar pesë hapat që duhet ndërmarrë për të normalizuar në tërësi marrëdhëniet, përfshirë implementimin e plotë të marrëveshjeve të arritura pa provuar të rishikohen apo rinegociohen; shpërbërjen e plotë të strukturave paralele serbe; integrimin e plotë të serbëve në institucionet kosovare; respektimin e sovranitetit dhe integritetit territorial, duke përfshirë heqjen e barrierave për anëtarësimin në organizata ndërkombëtare dhe para hyrjes në BE duhet të arrihet një marrëveshje ligjore obliguese mes dy vendeve.

Hoxhaj ka bashkëbiseduar me delegacionin gjerman edhe për nevojën e intensifikimit të mëtejshëm të bashkëpunimit bilateral me Gjermaninë në nivelin politik dhe ekonomik, ku veçmas është konstatuar bashkëpunimi i shkëlqyer mes dy vendeve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat