Doli: Shtyrja e seancës veprim i pa-precedent dhe jashtë çdo logjike institucionale

Kosova

Doli: Shtyrja e seancës veprim i pa-precedent dhe jashtë çdo logjike institucionale

Nga: Nehat SHAQIRI Më: 2 tetor 2014 Në ora: 11:15

Dren Doli nga Grupi për Studime Politike dhe Juridike, thotë për gazetën “Bota sot” se, shtyrja e seancës është një veprim i pa-precedent dhe jashtë çdo logjike institucionale dhe demokratike.

Doli thekson se, Flora Brovina nuk ka të drejtë as të thërras e as të shtyj seancën e Kuvendit, ndërsa veprimin e fundit Doli e quan tendencë e pushtimit të Kuvendit.

“Besoj që shtyrja e seancës nga përfaqësuesja e Partisë Demokratike të Kosovës përbën, edhe një herë, një veprim të pa-precedent dhe jashtë çdo logjike institucionale dhe demokratike. Së pari, Flora Brovina nuk mban të drejtën që të thërras e aq më pak të shtyj seancën e Kuvendi. Roli i saj fillon në momentin kur Kuvendi mblidhet, dhe po aq përfundon në atë moment kur seanca e Kuvendit ndërpritet apo përfundon. Ky veprim, për më tepër, është tendencë e pushtimit të institucionit të Kuvendit dhe po aq barazim i Kuvendit (si tërësi, pra 120 përfaqësuesve) me një deputet”, thotë Doli.

Ai pohon se, tani deputetët e Kosovës kanë të drejtë që të vendosin për mbajtjen e seancës dhe të ftojnë PDK-në, që të bëjë propozimet për kryekuvendar.

“Besoj që, tanimë, është në të drejtën e deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të vendosin kur do të mbahet seanca e radhës dhe të ftojnë Partinë Demokratike të Kosovës që të bëjë propozimet tjera për Kryetarë të Kuvendit”, thotë Dren Doli.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat