Pal Lekaj: ‘Shoqja’ Florë, i ratë vijë demokracisë...

Kosova

Pal Lekaj: ‘Shoqja’ Florë, i ratë vijë demokracisë...

Më: 1 tetor 2014 Në ora: 23:40

Ish kryetari i Gjakovës, tash deputeti i AAK-së, Dr. Pal Lekaj i ka nisur një letër publike Flora Brovinës, që në vazhdimësi i referohet si “shoqe”.
Lekaj ia “numëron” me radhë shkeljet, që sipas tij, i ka bërë kryesuesja e seancës konstituive me shtyrjen e seancës së 2 tetorit.
Lexojeni letrën e plotë të Pal Lekajt për “shoqen” e tij:
Letër ‘shoqes’ Brovina: Kuvendi nuk është pronë e juaja!
Vetëm në ‘Tirani’ personat ose udhëheqsit nuk vendosin në bazë të ligjit si rregull, por me vullnet personal. Urdhrat dhe veprimet e tyre nuk synojnë të mirën e përgjithshme të qytetarëve, por janë përmbushje e ambicieve, hakmarrjes, lakmisë apo pasionit të padenjët. Këto elemente që po i përdorë dhe po e karakterizojnë tash e shumë vite kasten e PDK-së.
Veprimet e fundit diktatoriale të Flora Brovinës, nuk na japin mundësinë që ne, deputetët tjerë, ta quajmë ‘Kolege’, por na obligon që asaj ti drejtohemi me termin “shoqe”.
‘Shoqja’ Brovina, me çfarë baze ligjore dhe logjike po shtyni seancën konstituive të Kuvendit?
Ndoshta ju, ‘shoqja’ Brovina, e keni të mishëruar logjikën, metodat dhe veprimet komuniste, këtë tashmë edhe po e dëshmoni, por lutja ime dhe kolegeve të mi është që të tërhiqeni ose të praktikoni metodat institucionale dhe ligjore dhe të veproni sipas rregullores së Kuvendit, e assesi sipas logjikës tuaj.
‘Shoqja’ Brovina, seanca konstituive nuk është plenum i partisë suaj, ku ju mund ta thirreni e ta shtyni kur ju keni dëshirë! Ju jeni e zgjedhur e popullit, si të gjithë ne, deputetët tjerë, andaj nuk duhet ta ndieni, e as shiheni veten me te lartesuar se ne, të tjerët, e te dalësh jashtë rregullores së Kuvendit,duke e shtypur keshtu vullnetin e qytetarit.
Çuditem se si një ‘intelektuale’, që tani po e vë në dyshim, po ndikohet kaq keq nga vijat politike, ose nga mos dija apo nga nostalgjia e sistemeve të së kaluarës! Ju duhet ta dini mirë rolin tuaj ceremonial në këtë seancë. Ju jeni e barabartë me të gjithë deputetët tjerë dhe prapë quditërisht dhe barbarisht veproni në mënyr autoritare dhe radikale duke shtypur vellnetin e qytetarit,duke çrrënjosur demokracinë e duke kthyer vendin shumë prapa, vetëm e vetëm për interesa të partisë tuaj.
E krejt në fund, për ta shpalosur ‘marren’ kolektive të klanit tuaj dhe tënden ‘shoqja’ Brovina, dua ta citoj njoftimin e tuaj ku thoni: “Kërkojë mirëkuptim nga deputetet për shtyrjen e seancës në këtë moment delikat për tërë vendin”.
Pyetja e parë që duhet të bëhet është se: A e keni marrë mirëkuptimin dhe miratimin e të gjithë deputetëve ‘shoqja’ Brovina për këtë shtyrje të seancës apo keni vepruar me logjikën tuaj ‘moniste’ .
Verbërinë ‘uzurpuese’ të Kuvendit të Kosovës më së miri po e dëshmoni ju ‘shoqja’ Brovina, ku në bazë të këtij njoftimi që keni leshur, deputet po i konsideron vetëm ata që vinë nga partia juaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat