Vetëvendosje takim me delegacionin e Bundestagut

Kosova

Vetëvendosje takim me delegacionin e Bundestagut

Më: 1 tetor 2014 Në ora: 20:53

Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, bashkë me deputetët, znj. Puhie Demaku dhe z. Visar Ymeri, kanë pritur sot pasdite në zyrat e Lëvizjes VETËVENDOSJE! një delegacion të Bundestagut, të kryesuar nga z. Roderich Kiesewetter, deputet i CDU/CSU dhe anëtar i Komisionit për Punë të Jashtme në Bundestag.

Gjatë takimit u diskutua mbi aktualitetin politik në Kosovë, mundësitë e krijimit të institucioneve të legjislaturës së pestë, integrimet evropiane si dhe për aspekte të alternativës qeverisëse të Lëvizjes VETËVENDOSJE! me theks të veçantë në zhvillimin ekonomik, sundimin e ligjit dhe qeverisjen e mirë.

“Ne nuk jemi optimistë naivë që të besojmë se shpallja e pavarësisë vetvetiu nënkupton bërjen e shtetit, por ne besojmë se Kosova duhet dhe mund të jetë shtet republikan me prodhim ekonomik e drejtësi ligjore. Dy problemet kapitale në Kosovë janë papunësia e madhe dhe ndarja e Mitrovicës, ndërsa korrupsioni është edhe shkak edhe pasojë e këtyre” tha Kurti.

Pjesë e delegacionit që vizitoi Lëvizjen VETËVENDOSJE! ishin edhe ambasadorja gjermane në Prishtinë, znj.Angelika Viets, z. Hans-Joachim Falenski, bashkëpunëtor për politikën e jashtme nga zyra e Dr. Andreas Schockenhoff, znj.Anja Czymmeck nga Konrad Adenauer Stiftung dhe z. Wulf Lapins, drejtor i Friederich Erbert Stiftung në Prishtinë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat