​E-maili i bllokuar i Natali Veliajt e bllokon Gjykatën

Kosova

​E-maili i bllokuar i Natali Veliajt e bllokon Gjykatën

Më: 1 tetor 2014 Në ora: 17:27

Për shkak të pamundësisë për t’u qasur në e-mailin personal, për të ofruar si dëshmi edhe prova materiale, Natali Veliaj ka kërkuar nga trupi gjykues që t’i mundësohet të angazhojë një inxhinier për t’u rifutur në të. Kolegji e ka pranuar këtë kërkesë, me ç’rast edhe është ndërprerë seanca e sotme. Prokurori ka kërkuar që e-mailin ta hapin në gjykatë në prani të tyre
Në seancën e sotme, prokurori i rastit i ka ofruar disa e-mail të marrë nga e-maili i Natali Veliajt, me të cilat ka dokumentuar kontaktet që ka pasur me disa persona nga Austria.

Mirëpo, Veliaj, iu ka kundërvër prokurorit duke thënë se ai nuk i ka marrë të gjitha e-mailet. “Prokurori i ka marrë vetëm e-mailet që ju kanë dashur atij, dhe jo të gjitha, sepse aty tregohen edhe disa gjëra tjera”.

Gjithashtu, avokati Beka i ka thënë prokurorit që ligji e obligon t’i ofrojë dëshmitë që janë edhe në favor të të akuzuarës.

Veliaj ka thënë se është munduar t’i marrë edhe e-mailat e tjerë, por nuk ka mundur të qaset në postën e saj elektronike.

“Më është ndryshuar fjalëkalimi, nuk me hapet me fjalëkalimin që unë kam pasur” ka thënë Natali Veliaj.

Ali Beka: Iu dhanë 150 mijë euro kompanisë që u krijua dy ditë para se të kryhej pagesa

Në këtë seancë, që zgjati jo më shumë se 1 orë e gjysmë, u ngrit çështja e dhënies së një projekti nga OJSD, për renovim të një objekti dhe makinerive, një kompanie të dyshimtë.

Avokati i Natali Veliajt, ofroi para trupit gjykues një faturë me vlerë 150 mijë euro, të lëshuar nga OJSD për një kompani me pronar Bujar Canollin, mjete këto të zotuara për renovim të një objekti dhe të disa makinerive.

Por, avokati i Veliajt, thotë se këto mjete i kanë përvetësuar zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme. “Dyshojmë dhe kemi fakte se këto para kanë shkuar tek njerëzit e Ministrisë së Brendshme, sepse OJSD është organizatë me renome, dhe nuk besoj që do t’i jepte projekt një kompanie, që u krijua dy ditë para se të bëhej kjo pagesë”, ka thënë përpara trupit gjykues, avokati Ali Beka.

Megjithëkëtë, prokurori i rastit, i ka bërë të ditur avokatit se nuk është objekt i aktakuzës, ryshfeti.

Por, gjithashtu, edhe e pandehura Veliaj e ka përsëritur atë që ka thënë avokati i saj. “Kjo transfertë përbën ryshfet” - ka theksuar ajo, duke kërkuar që të hetohet edhe ryshfeti.

Kërkohet nga mbrojtja të hetohet edhe ryshfeti

Sipas Veliajt, transferi i cekur më lartë, përbën ryshfet dhe duhet të hetohet. Ajo iu drejtua gjykatësit, Malkolm Simmons, duke e përsëritur problemin e ryshfetit: “Kjo transfertë përbën ryshfet”.

Gjykatësi Simmons, iu ka përgjigjur se prokuroria duhet të hetojë për këtë.

Ndërkaq, Natali Veliaj është përgjigjur: “Por nuk po e bën”!

“Jam e gatshme të qëndroj edhe 22 muaj në paraburgim, vetëm le të fillojnë hetimet për ryshfet”, ka deklaruar ajo.

Natali Veliaj akuzohet për krim të organizuar, shpëlarje parash, mashtrim, shmangie nga tatimi dhe keqpërdorim të besimit në rastin e pasaportave biometrike në Ministrinë e Bajram Rexhepit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat