Presidentja nuk pret konstituim të Kuvendit për nesër

Kosova

Presidentja nuk pret konstituim të Kuvendit për nesër

Më: 1 tetor 2014 Në ora: 11:24

(E plotësuar) - Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka lëshuar një njoftim me të cilin ka konfirmuar se do të vazhdojë takimet me liderët e partive politike në ditët në vazhdim. Në këtë mënyrë, ajo nuk pret konstituim të Kuvendit të Kosovës pasi qëndrimet e partive politike nuk kanë ndryshuar/
Takimet e Presidentes Jahjaga me liderët e partive politike parlamentare do të vazhdojnë në ditët në vijim”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Sidoqoftë, Presidentja ka thënë se po i pret sugjerimet dhe propozimet nga liderët për të dalë nga bllokada politike.

“Ajo tha se vetë liderët e partive politike parlamentare duhet të ofrojnë propozime dhe sugjerime për të dalë nga situata e krijuar duke mundësuar lehtësimin e mëtejmë të diskutimeve mes tyre”.

Lexojeni të plotë njoftimin

Presidentja Jahjaga vazhdoi konsultat me drejtuesit e subjekteve politike

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, priti sot në takime të ndara, fillimisht kryetarin e PDK-së, zotëri Hashim Thaçi, i shoqëruar nga nënkryetari zotëri Kadri Veseli dhe më pastaj në takim të përbashkët kryetarin e LDK-së, zotëri Isa Mustafa, kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, zotëri Albin Kurti, kryetarin e AAK-së, zotëri Ramush Haradinaj si dhe kryetarin e NISMA-s, zotëri Fatmir Limaj, për të diskutuar për procesin e krijimit të institucioneve të Kosovës.

Presidentja Jahjaga në takimet e zhvilluara theksoi se ndërtimi shpejtë i institucioneve të vendit është domosdoshmëri dhe kjo do të hap perspektivën për qytetarët e vendit dhe proceset demokratike. Presidentja ritheksoi edhe njëherë faktin se zgjidhjet duhet të gjenden brenda kuadrit kushtetues, në përputhje me vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe theksoi se liderët e partive politike parlamentare duhet të gjejnë mënyrat për diskutuar bashkë zgjidhjet për konstituimin e Kuvendit, që hap rrugën drejt krijimit të institucioneve të vendit.

Ajo tha se vetë liderët e partive politike parlamentare duhet të ofrojnë propozime dhe sugjerime për të dalë nga situata e krijuar duke mundësuar lehtësimin e mëtejmë të diskutimeve mes tyre.

Liderët e partive politike parlamentare e vlerësuan rëndësinë e takimeve me presidenten dhe theksuan nevojën që të arrihet zgjidhja për krijimin e institucioneve të vendit.

Takimet e Presidentes Jahjaga me liderët e partive politike parlamentare do të vazhdojnë në ditët në vijim.
Blloku sërish te Jahjaga

Isa Mustafa, Albin Kurti, Ramush Haradinaj e Fatmir Limaj përsëri kanë shkuar sot bashkë te Presidentja, pavarësisht, se ftesa atyre u ishte dërguar veç e veç.
Kjo është hera e dytë kur udhëheqësit e LDK’së, AAK’së, NISMA’s dhe VV’së kanë shkuar bashkë të gjithë, kur në fakt, radha ka qenë e LDK’së.

Zyrtarët e Presidencës kanë konfirmuar se në të tria rastet ftesat u kanë shkuar ndaras partive politike.

Mirëpo, në Presidencë nuk kanë dashur të flasin se pse po shkelet ftesa e Jahjagës për t’i takuar ndaras liderët politikë.

Sidoqoftë, në takimin e dytë me partitë politike pas kthimit nga Amerika, udhëheqësit e partive kanë shkuar vetmas të Presidentja për të folur lidhur me gjetjen e një zgjidhje për tejkalimin e bllokadës politike.

Mustafa: Nuk kemi plan konkret për 2 tetorin

Kryetari i LDK-së ka hedhur poshtë deklarimet disa ditore të pjesëtarëve të koalicionit VLAN se ata kanë një plan konkret për vazhdimin e seancës konstituive të paraparë për 2 tetor.

Sipas tij, zgjidhja e krizës politike, ndonëse gjendet në parlament, koalicioni në mes të partisë së tij, Lëvizjes Vetëvendosje, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe NISMA për Kosovën nuk kanë plan konkret për këtë gjë.

“Ne vlerësojmë se kjo gjendje mund të zgjidhet veç në Kuvendin e Kosovës. E lutëm presidenten që të bëhet pjesë e kësaj zgjidhje. Nuk kemi plane konkretë, ka thënë isa Mustafa pas takimit me Presidenten Jahjaga.

Pas PDK’së, Blloku në takim te Presidentja

Pas takimit me zyrtarët e PDK’së, Presidentja ka nisur një takim me zyrtarët e bllokut. Në Zyrën e Presidentes kanë shkuar Isa Mustafa, Albin Kurti, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj.

Kadri Veseli: Qytetarët kanë treguar se e duan PDK’në për qeverisje
Zëvendëskryetari i PDK’së Kadri Veseli pas takimit me Presidenten Jahjaga ka thënë se qytetarët kanë treguar se kë e dojnë për të qeverisur.

“ Ekziston vullneti i mirë për zgjidhje. Natyrisht që zgjidhja do të gjendet brenda Kushtetutës, vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Po ashtu, vullneti i qytetarëve i shprehur me 8 qershor, tregon se kë e duan qytetarët për të qeverisur me vendin” ka thënë Veseli.

Ka filluar takimi i Presidentes me PDK'në
Ka filluar takimi i Presidentes me partitë politike. E para në takim ka marrë pjesë Partia Demokratike e Kosovës.
PDK në këtë takim po përfaqësohet nga kreu Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli.

Përpjekja e fundit para seancës, pas pak takohet me liderët partiakë

Presidentja Atifete Jahjaga do të takojë sot gjatë ditës edhe njëherë liderët e partive politike, për të diskutuar mundësit që seanca e të enjtes për konstituimin e Kuvendit, zgjedhjen e Kryeparlamentarit dhe nënkryetarëve të tij, të mos e ketë fatin e dy përpjekjeve të mëparshme.
Një ditë përpara mbajtjes së vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, presidentja, pa imponime, do t’i sugjerojë liderët e partive parlamentare që të merren vesh mes vete, të mos dështojnë edhe kësaj radhe, por të respektojnë Rregulloren dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Mbajtjen e takimit mes presidentes Jahjaga dhe liderëve politikë e ka konfirmuar për lajmi.net, edhe Arbër Vllahiu, këshilltar politik i presidentes Jahjaga.
“Po do të ketë takime gjatë ditës”, ka thënë Vllahiu përmes një përgjigje me sms.
Jahjaga deri më tani ka zhvilluar dy raunde takimesh me përfaqësues të partive politike, me qëllim të gjetjes së një zgjidhje e cila do t’i hapte rrugë formimit të institucioneve
Nesër pritet të mbahet vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, ku si rend dite është zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat