Kosova jashtë nismës rajonale për parandalimin e katastrofa natyrore

Kosova

Kosova jashtë nismës rajonale për parandalimin e katastrofa natyrore

Më: 30 shtator 2014 Në ora: 20:01

Shqipëria është bërë pjesë e një nisme rajonale për parandalimin e katastrofave natyrore në Evropën Juglindore. Në këtë iniciativë bëjnë pjesë 11 shtete nga rajoni të cilat zotohen nëpërmjet një memorandumi mirëkuptimi që të ndihmojnë njëra-tjetrën në rast të përmbytjeve apo fatkeqësive të ndryshme natyrore.
Kjo iniciativë rajonale duket se u përshpejtua pas përmbytjeve masive që ndodhën pak muaj më parë në Bosnje dhe Serbi, por nga kjo nismë duket se janë lënë jashtë disa shtete, midis tyre edhe Kosova, e cila nuk bënë pjesë në listën e 11 shteteve që kanë nënshkruar memorandumin.

Memorandumi në fjalë u miratua sot në Komisionin Parlamentar të Sigurisë Kombëtare në Tiranë, ku Ilir Mustafaraj, zv.ministër i Brendshëm tha se në bazë të kësaj nisme Shqipëria, detyrohet në bazë të një memorandumi të nënshkruar, që të kontribuojë me një kuotë fikse vjetore prej 25 mijë eurosh.

Nisma në fjalë quhet “Iniciativa për Gatishmërinë dhe Parandalimin e Katastrofave për Europën Juglindore (DPPI SEE)”. Marrëveshja është nënshkruar në Sarajevë, më 28 nëntor 2013. Iniciativa DPPI SEE u lansua në nëntor të vitit 2000 nga Pakti i Stabilitetit për Europën Juglindore, në një përpjekje për të kontribuar në zhvillimin e një strategjie të përbashkët rajonale për gatishmërinë dhe parandalimin e fatkeqësive për vendet e Europës Juglindore, raporton Kosovapress.

Ajo është projektuar për t’u shërbyer interesave të vendeve anëtare të saj në çdo fazë të procesit të menaxhimit të rrezikut të katastrofave, për të bërë të mundur që këto vende të përballen me fatkeqësitë natyrore në mënyrë më efektive. Marrëveshja parashikon një bashkëpunim të plotë me Mekanizmin e Mbrojtjes Civile të BE-së (CPM).

Objektivat e Iniciativës, siç janë ndërtimi i kapaciteteve të organizatave të menaxhimit të fatkeqësive, kanë për qëllim rritjen e punës parandaluese dhe parapërgatitjen nëpërmjet rritjes së bashkëpunimit ndërmjet anëtarëve të saj, në funksion të zgjerimit të BE-së dhe procesit të integrimit euroatlantik. Kjo do ta bëjë më të lehtë ndihmën e BE-së në rajonin e Europës Juglindore për gatishmërinë dhe parandalimin e katastrofave.

Iniciativa përbëhet nga këto shtete anëtare: Shqipëria, Bosnjë dhe Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Maqedonia, Moldavia, Mali i Zi, Rumania, Turqia, Serbia, Sllovenia. Në këtë iniciativë mungon Kosova, megjithëse me marrëveshjet e fundit dypalëshe në Bruksel, Kosova nuk pengohet në organizmat ndërkombëtare rajonale.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat