Thaçi për “The Guardian”: Kemi refuzuar ndihmën e grupeve xhihadiste gjatë luftës në Kosovë

Kosova

Thaçi për “The Guardian”: Kemi refuzuar ndihmën e grupeve xhihadiste gjatë luftës në Kosovë

Më: 30 shtator 2014 Në ora: 14:57

Kryeministri Hashim Thaçi në një shkrim autorial për gazetën angleze “The Guardian”, ka thënë se Kosova i mbështet sulmet e nisura nga aleatët perëndimor kundër të ashtuquajturit Shtet Islamik.

Thaçi ndër të tjera në këtë tekst ka përmendur edhe kohën e luftës së Kosovës, ku UÇK kishte refuzuar ndihmën e grupeve xhihadiste, pasi lufta e Kosovës, ishte për liri e jo luftë fetare.

Lexoni të plotë tekstin autorial të kryeministrit Thaçi, botuar në “The Guardian”:

Pesëmbëdhjetë vjet më parë, shtetet prijëse demokratike të botës ndërhynë kundër forcave serbe të diktatorit Sllobodan Millosheviq për të ndaluar atë në përpjekjet e tij për t’i zhdukur shqiptarët e Kosovës dhe pakicat e tjera nga atdheu i stërgjyshërve të tyre. Gjatë kohës së regjimit terrorist në vitet 1998-1999, por edhe gjatë viteve të shtypjes politike që i parapriu luftës, Serbia vrau mbi 12.000 njerëz. Njëzet mijë gra u përdhunuan, ndërsa mbi një million banorë u pastruan etnikisht nga shtëpitë e tyrë. Në mars të vitit 1999, NATO, e udhëhequr nga SHBA dhe aleatët evropianë, ndërhyri ushtarakisht dhe i dha fund luftës, që nënkuptonte se populli i Kosovës më në fund do të shijonte lirinë aq të merituar.

Kam ndjekur me interes përmendjen e Kosovës në mediet ndërkombëtare në vitet e fundit. Nga ndërhyrja në Irak dhe Afganistan, e deri në Libi dhe Siri, rasti i Kosovës është përdorur qoftë për të mbrojtur apo sulmuar rendin e sotëm botëror. Disa prej këtyre zërave përshkruajnë Kosovën si një project të dështuar të “intervencionizmit neo-liberal”. Zakonisht, e djathta dhe e majta esktreme e peisazhit politik global orvaten të përdorin copëza të lajmeve nga Kosova për të vërtetuar pretendimet e tyre politike. Sulmet e fundit ndaj vendit tim vijnë nga ata që pretendojnë se Kosova po bëhet një strehë për islamizmit radikal dhe një burim për eksportimin e luftëtarëve të huaj në Irak dhe Siri.

Këto pretendime janë larg nga e vërteta. Qeveria e Republikës së Kosovës po ndërmerr veprime vendimtare për të ndaluar valën e të rinjve, të cilët jo rrallëherë vijnë nga komunitetet e margjinalizuara, që shkojnë për të luftuar në Irak dhe Siri. Ne kemi miratuar një ligj që ndalon pjesëmarrjen në luftëra të huaja. Në dy veprime të ndara të policisë, ne kemi arrestuar 45 militantë të dyshuar, si dhe disa imamë që sponsorizojnë dhe përkrahin ekstremistët.
Kosova është një vend ku shumica e popullsisë deklarojnë veten të jenë myslimanë. Por, kosovarët hedhin poshtë në tërësi dogmën fetare të rrymave radikale të Islamit politik dhe ne nuk do të lejojmë asnjëherë që rrymat e tilla të rrezikojnë rrugën tonë drej anëtarësimit tonë në NATO dhe BE. Ne do t’i shkatërrojmë të çdo celulë që beson, në mënyrë të gabueshme, që mund gjejë mbështetje në Kosovë. Ashtu si ish-ushtria ime guerile e UÇK-së pati hedhur poshtë oferta nga vullnetarë xhihadistë në luftën e vitit 1999, edhe sot ne e refuzojmë të keqen e re që buron nga ISIS dhe grupe të ngjashme në Lindjen e Mesme.

Kosova është gjithashtu një nga shtetet më pro-amerikane në planet. Një studim i fundit i kryer nga Këshilli Britanik në Kosovë tregoi se mbështetja për politikën e jashtme amerikane në mesin e kosovarëve arrin shkallën 95%. Për të vozitur nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës për në zyrën time në qendër të kryeqytetit, ju duhet të kaloni nëpër Bulevardin Bill Clinton, në rrugët George Bush dhe Bob Dole. Pas vizitës së Kongresmenit të ndjerë Tom Lantosh në Kosovë para rënies së Murit të Berlinit, Lantosh foli në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit amerikan, me ç’rast e përshkroi Kosovën si një nga rajonet më “pro-amerikane dhe pro-demokracisë” në botë.

Presidenti Obama ka prezantuar një strategji për luftimin e “Shtetit Islamik” dhe ne qëndrojmë plotësisht pas saj. Ne kemi burime të kufizuara ushtarake, por kemi bindje të madhe dhe të palëkundur që SHBA dhe aleatët botërorë, duke përfshirë edhe Mbretërinë e Bashkuara, do të korrin sukses për hir të se ardhmes së fëmijëve tanë. SHBA dhe aleatët e saj mund të llogarisin në mbështetjen e plotë të Republikës së Kosovës në përballjen me këtë kërcënim global. Ne do të luajmë një rol aktiv në ndalimin individëve të indoktrinuar nga rajone të thella të Kosovës në orvatjet e tyre për t’iu bashkuar ISIS-it dhe do t’i shkatërrojmë rrjetet e rekrutimit. Reformat në ekonomi dhe arsim, si pjesë e strategjisë sonë të integrimit evropian, do të ofrojnë mundësi më të mira për shtresat e margjinalizuara të shoqërisë të cilët kanë humbur rrugën në këtë periudhë të tranzicionit. Siç është theksuar në disa raporte të sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, qeveria ime është angazhuar gjithashtu në mënyrë aktive në dialogun ndërfetar global, ku kemi ofruar përvojën tonë të pajtimit dhe të shtetndërtimit të pasluftës si një platformë për të debatuar rreth mënyrave për zbutjen e tensioneve fetare në pjesë të trazuara të botës.

Prandaj, në rast të përdorimit të Kosovës si një referencë, politikanët dhe analistët mund të jenë të sigurt se vendi im është shndërruar një një rrëfim suksesi. Në periudhat tona më të errëta, e keqja nuk triumfoi sepse njerëzit e mirë ndërhynë për të ndaluar atë. Lufta e sotme e SHBA-së kundër ISIS pasqyron këtë nevojë njerëzore për të ndaluar të keqen në rrënjët e saj. Populli i Kosovës qëndron fuqishëm prapa kësaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat