A do të ketë zgjidhje pa zgjedhje?

Kosova

A do të ketë zgjidhje pa zgjedhje?

Nga: Nehat SHAQIRI Më: 30 shtator 2014 Në ora: 10:55

Situata e tanishme e ngërçit politik, që është stërzgjatur, nuk lejon shumë komoditet për kalkulime nga asnjëri grupim politik. Hapja e "zarfit" paraqet fundin e kalkulimeve të të gjithëve, pa marrë parasysh faktin se mund t'i befasoj, madje edhe ta tronditë ndonjërin prej tyre.

Ligjëruesi, Avni Islami, thotë se rrjedha e bisedimeve nga subjektet politike për daljen nga ngërçi politik siç duket nuk do të ketë rezultat pozitiv.., pavarësisht presionit ndërkombëtar mbi formimin e institucioneve, vështirë se mund të ketë zgjidhje afatgjate.

“Vetë mënyra e konfiguracionit se si janë pozicionuar subjektet politike në ‘’dy pole’’ nuk len shumë për të dëshiruar se së shpejti do të formohen Institucionet shtetërore. Pra kështu siç janë duke u zhvilluar këto bisedime dhe implikimi i Institucionit të Presidencës, Gjykatës si dhe “presioni” nga ndërkombëtarët më sa duket nuk do të ketë sukses dhe siç duket nuk do të ketë "Zgjidhje pa zgjedhje",”, thotë Avni Islami për gazetën “Bota sot”.

Kurse, Avni Arifi këshilltar i liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj, thekson se, koalicioni i mban qëndrimet e deritashme. “Koalicioni mbanë qëndrimet e deritashme dhe nuk ka çka të shtoj. Takimi është vazhdimësi e qëndrimeve të deritashme”, thotë Avni Arifi për gazetën “Bota sot”.

Analisti politik, Nehat Hyseni, thekson për gazetën “Bota sot” se, befasia mund të jetë qoftë me kryeparlamentarin, apo edhe me kryeministrin, duke propozuar emra krejtësisht të rinj.

“Gjithashtu, Gjykata Kushtetuese, sipas të gjitha gjasave, sa i përket çështjes së zgjedhjeve, e ka kryer misionin e vet, meqë në asnjë variant as Presidentja dhe askush tjetër nuk do të mund t'i drejtohet Kushtetueses, pa marrë parasysh se a do t'u konvenojë apo jo”, vlerëson Hyseni.

Hyseni thekson se, miqtë tanë ndërkombëtarë, e sidomos SHBA-të, kanë mënyra dhe mundësi të pakufishme se si t'i disiplinojnë subjektet politike dhe liderët tanë të "padëgjueshëm".

“Natyrisht, më 2 tetor nuk presim bllokadë të mbledhjes konstituive nga zonja Brovina dhe ajo do e kryesoj mbledhjen vetëm 4-5 minuta, deri sa të kryhet votimi i kryeparlamentarit dhe të deklarohet rezultati i zgjedhjes së tij. Prandaj, mbledhja do të procedoj me zgjedhjen e nënkryetarëve dhe kështu, më në fund, do t'i hapet rruga Presidentes për ta emërtuar mandatarin për formimin e Qeverisë së re nga radhët e grupimit politik që numëron më shumë deputetë”, thotë Nehat Hyseni.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat