PDK-ja po hesht. Blloku po bën zhurmë. Lëvizje nuk ka!

Kosova

PDK-ja po hesht. Blloku po bën zhurmë. Lëvizje nuk ka!

Më: 23 shtator 2014 Në ora: 14:32

Partia Demokratike e Kosovës, pas takimit të fundjavës që shkoi me ç’rast udhëheqësia e këtij subjekti politik tuboi kryetarët e Degëve dhe Grupin Parlamentar, më nuk është prononcuar.

Pas paraqitjes së nënkryetarit të kësaj partie, Memli Krasniqit, i cili dha të kuptohet se kjo parti nuk e ka ndërmend të bëjë kurrfarë kompromisi dhe se duhet të “respektohet” vendimi Gjykatës Kushtetuese më nuk pati prononcime nga zyrtarë të udhëheqjes së ngushtë të kësaj partie.

Në fakt, kandidati i dështuar i kësaj partie për kryetar të Kuvendit, Arsim Bajrami, është paralajmëruar si mysafir në emisionin “Rubikon” tek Adriatik Kelmendi sonte.

Por zor të besohet që Bajrami është i rrethit të ngushtë të udhëheqjes së kësaj partie dhe para së gjithash nuk duhet pritur ndonjë “lajm” nga ai pos atij që sërish do kandidonte për Kryetar Kuvendi.

Në anën tjetër, heshtjes së PDK-së duhet vënë përballë edhe takimet e shpeshta të Bllokut i cili si zakonisht ose është i “shqetësuar” ose “kërcënon” kryesuesen e seancës.

Njëra palë-PDK vazhdon heshtjen dhe pritjen (e ndonjë mrekullie) pasi që s’i ka numrat. Pala tjetër (Blloku) vazhdon me kërcënimet por pa pasur fuqi të bëjë diçka konkrete sepse i frikësohet “shkeljes”.

Prandaj, nuk është çudi që jo vetëm opinioni dhe qytetarët por edhe vet taborret të presin që dikush të ndërhyjë. Presidentja? Ndërkombëtarët? Me gjasë e para, pra Presidentja, me “rekomandimet” e ndërkombëtarëve. /Gazeta Blic/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat