Kur Kosovës ia premtonin vizat dhe integrimet brenda disa muajve!

Kosova

Kur Kosovës ia premtonin vizat dhe integrimet brenda disa muajve!

Më: 23 shtator 2014 Në ora: 13:53

Partitë opozitare vazhdojnë të vlerësojnë se Qeveria e Kosovës nuk po tregohet serioze në procesin e integrimeve evropiane. Sipas tyre, kriza me mos themelimin e institucioneve po ndikon jashtëzakonisht shumë në këtë proces, derisa fajtore për këtë e bëjnë PDK-në që udhëheq me Qeverinë.
Por, në anën tjetër zyrtarë të Qeverisë thonë se partitë opozitare e kanë detyrë të kritikojnë, po ato i vlerësojnë si jo të qëndrueshme.
Deputetja e Vetëvendosjes, Puhie Demaku, thotë se prej kur është pavarësuar Kosova dhe është marrë përsipër shtyrja përpara e agjendës evropiane, ka munguar një seriozitet nga ana e qeverisë.
“Të gjitha qeveritë e mëparshme e kanë pasur gojën plot integrim evropian, liberalizim të vizave, ndërkohë që as puna që e kanë bërë në Qeveri dhe në terren në përgjithësi në shtetin e Kosovës dhe as puna jashtë Kosovës që e kanë bërë, por posaçërisht ndarja e buxhetit nuk e ka reflektuar seriozitetin dhe do të thotë devotshmërinë që e meriton ky proces ta ketë si proces apo si prioritet që i është caktuar Kosovës dhe Qeverisë së saj. Unë mendoj që është keqkuptuar mjaft integrimi evropian, është parë si një proces i cili mbase do të na çojë neve drejt Brukselit, mirëpo ajo që nënkuptojmë ne si Vetëvendosje me integrim evropian është që të përmirësohen kushtet e jetesës në Kosovë.
Do të thotë integrimi në përgjithësi, në fakt është një paradoks sepse sa më afër integrimit që të jesh, i panevojshëm bëhet ai si i tillë”, thotë Demaku për KosovaPress.
Sipas saj, përveç jo seriozitetit të treguar për fat të keq, edhe kriza politike me mos themelimin e institucioneve e rëndon edhe më shumë procesin e integrimeve. Megjithatë, ajo mendon se sfida kryesore apo problem kryesor me të cilin janë ballafaquar është që ata kanë pasur, deri vitin e kaluar mungesë të një strategjie për integrim.
Demaku si jo serioze e ka vlerësuar edhe ndërrimin e udhëheqësve të delegacionit të Kosovës për negociatat për procesin integrues.
Edhe ish anëtarja e Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme nga AAK-ja, deputetja Donika Kadaj-Bujupi tha se asgjë nuk është bërë në procesin e integrimit, pasi sipas saj, Kosova është zaptuar nga një pushtet që ka qenë i fokusuar në monopolizimin e gjithçkaje.
Ajo theksoi se në këtë shtat vjeçar të fundit kur Kosova veç është futur në proceset integruese pas pavarësimit të vendit dhe kur kanë pasur dritën e gjelbër për integrime evropiane, është dashur që Qeveria t’i kryej disa obligime, me qëllim që të ecet me hapa me të shpejt dhe të arrihen suksese në proceset integruese.
“Shembull, prej liberalizimit të vizave që ka qenë një temë veç në fushata zgjedhore dhe ku janë premtuar që brenda dhjetë muajve apo 15 muajve do të kemi liberalizim e deri të aspektet që lidhen me MSA, pastaj bashkëpunimi i Kosovës me vendet e BE-së në fushën e ekonomisë, përfitimet që do t’i kishte Kosova pas fillimit të këtij bashkëpunimi, negocimet që duhet të ndodhin për të pasur diçka konkrete jashtë asaj të përditshme, si një marrëveshje, kanë munguar. Kanë munguar, sepse Kosova në përgjithësi është e kapur nga një pushtet, i cili në vazhdimësi gjithë fokusin e vet dhe potencialin e vet e ka harxhuar për të monopolizuar gjithçka”, tha Kadaj-Bujupi.
Por, Ministri në Detyrë i Integrimeve Evropiane, Gëzim Kasapolli, tha për KosovaPress, se ata kanë bërë dhe po bëjnë gjithçka që procesin e integrimeve evropiane ta jetësojnë sa më shpejt.
“Është detyrë e opozitës që gjithmonë të kritikoj. Unë them që në raport me MI-në në përgjithësi, kritikat nuk kanë qenë aq të mëdha, meqë Ministria e Integrimit ka dëshmuar në të gjitha raportet që ajo ka qenë prijëse e krijimit të një imazhi shumë pozitiv por edhe në raport me vet institucionet e BE-së.
Procesi i integrimit evropian, ka qenë gjithëpërfshirës dhe besoj se kjo është vlerësuar nga të gjithë akterët, nga të gjitha subjektet politike dhe ajo që ne në Ministri kemi krijuar është një vazhdimësi, një trashëgimi”, tha Kasapolli.
Kasapolli thotë se proceset integruese janë duke shkuar mjaftë mirë, po edhe kriza politike mund të ndikoj nëse vazhdon ky ngërç politik.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat