Apel ndërkombëtarëve: Ndërhyni, aman!

Kosova

Apel ndërkombëtarëve: Ndërhyni, aman!

Nga: Nehat SHAQIRI Më: 21 shtator 2014 Në ora: 10:42

“Të nderuar ambasadorë dhe diplomatë të vendeve me ndikim (Quint), liderët tanë politikë po dëshmojnë edhe një herë se nuk janë të gatshëm për ta nxjerrë vendin nga kriza politike, prandaj kërkojmë që faktori ndërkombëtar të ndërhyjë për zgjidhjen e ngërçit politik në Kosovë”, kështu e fillon letrën e tij, analisti Fitim Çeku, të drejtuar vendeve të Quintit, dukë kërkuar ndihmë për formimin e institucioneve të Republikës së Kosovës.

Çeku, ju bënë thirrje ndërkombëtarëve që të ndërhyjnë për hir të popullit të Kosovës.

“Ju rikujtoj se në vitin 2010 ngërçi politik që u krijua pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për çështjen Pacolli, kishte ardhur zgjidhja e shpejtë për tejkalimin e ngërçit politik jo për shkak të gjeturisë së liderëve tanë dhe për shkak të tolerancës së tyre për pozita, por për shkak të një ndërmjetësuesi që kishte peshë në skenën politike dhe nuk mund të kthehej pas, pra u zgjidh ngërçi politik nga ish-ambasadori i atëhershëm amerikan në Prishtinë, Kristofer Dell”, thotë Çeku për gazetën “Bota sot”.

Ai thekson se, në Kosovë kriza politike është thelluar shumë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e Isa Mustafës si kryeparlamentar i Kosovës, duke çuar kështu vendin në një “udhë pa krye”.

“Realiteti kohët e fundit në Kosovë po dëshmon se liderët tanë politikë në momente jo të favorshme për vendin janë bërë nyja e vetvetes, duke shkaktuar gjithandej “ngërç politik” në vend, e kjo vjen vetëm për hir të pozitave të tyre. Demokracia e brishtë në Kosovë po nxjerr në pah, që ne si shoqëri i kemi të pashmangshme ndërhyrjet ndërkombëtarëve si formë për të ndikuar në lëvizjen e skenës drejt formimit të qeverisë”, thotë Fitim Çeku.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat