Në luftë, shqiptarët ndërtuan armë e autoblinda

Kosova

Në luftë, shqiptarët ndërtuan armë e autoblinda

Më: 21 shtator 2014 Në ora: 10:35

Jo vetëm që luftuan. Shqiptarët e Kosovës gjatë luftës së fundit kanë riparuar armë të ndryshme të cilat u importuan nga jashtë , disa nga to dhe vet i kanë ndërtuar. Madje kanë ndërtuar edhe autoblinda. E gjithë kjo vetëm e vetëm për t’i kontribuuar luftës, e cila qëllim kishte çlirimin e vendit nga kthetrat e sunduesit serb.
Megjithëse në kushte të jashtëzakonshme, vullneti nuk u kishte munguar. Banorë nga zona të ndryshme, ishin mobilizuar për t’i ardhur në ndihmë pjesëtarëve të UÇK-së,duke riparuar armët e tyre, të cilat ishin në gjendje jo aq të mirë. Me gjithë rrezikun e lartë puna nuk ndalej. E në fshatin Carrallukë të Malishevës, në punëtorinë e Hamit Hotit në prill të vitit 1998, kishte filluar puna për prodhimin e autoblindave të parë për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Me gjithë rrezikun, Hamiti së bashku me shokë, kishin punuar natë e ditë për t’i përfunduar autoblindat, të cilat do të ishin në shërbim të ushtrisë sonë.

Hoti derisa punon në Auto- Servisin e tij të quajtur tashmë “Shkëlqimi”, e i cili dikur ishte vendi ku ata punonin autoblindat, kujton atë kohë, e cila përkundër rrezikut ka lënë kujtime të paharruara tek ai.

Ai thotë se punonin natë e ditë me gjeneratorë dhe se roje u bënin ushtarët e UÇK-së, por të armatosur ishin dhe vet ai me shokë, pasi që kanë qenë të vetëdijshëm për rrezikun që iu kanosej nga forcat serbe në rast se zbulohej veprimtaria e tyre. Hoti tashmë vazhdon profesionin që ka pasur dhe se ndihet krenar për punën e tij të bërë gjatë luftës së fundit në Kosovë.

“Puna jonë ka qenë se kemi prodhuar autoblindat e para shqiptare. Këtu në këtë servis kemi filluar, kemi punuar disa ditë. Pastaj jemi detyruar, puna e forcave serbe të largohemi nga këtu dhe të shkojmë në fshatin Bubel. Kemi punuar nja shtatë tetë shokë. Unë i Malishevës me vëllun kam qenë këtu që kemi punuar. Pastaj kemi shkuar në Bubel me do shok të Suharekës dhe kemi punuar bashkë nja tre, katër muaj atje. Derisa i kemi përfunduar tri autoblinda dhe na ka përfshi ofensiva”, thotë ai.

Megjithëse i kishin punuar tre autoblinda, ata nuk kishin arritur të futeshin në përdorim nga pjesëtarët e UÇK-së, pasi që ato ishin marrë nga forcat serbe, ende pa rënë në duar të ushtarëve të Kosovës. Ndërsa, tregon se ideja për ndërtimin e autoblindave, ka qenë e komandantit të asaj zone, Gani Krasniqit.

“Ideja ka qenë e komandantit Gani Krasniqi që këtu duam të bëjmë autoblinda ne shqiptaret, vet për herë të parë. Dhe tani i kemi grah. E kemi marrë materialin dhe kemi vazhduar. Kamioni komplet qysh u kanë, e kemi ç’montu krejt, me kabinë me krejt ia kemi hjek. Veç shinat ia kemi lënë, rrotat dhe e kemi përgatit dhe e kemi bërë komplet autoblindë. Tri copa kanë qenë të përfunduara dhe për dy e kemi pasur materialin. Tri copa janë kanë të përfunduara komplet, me drita, me anësore, me ulëse brenda, me të gjitha sendet. I kemi vozitur prej Bublës i kemi pru në Malishevë, në njëfarë barake i kemi mshef aty momentalisht se ishte kohë e rrezikshme. Ishim të rrethuar në të gjitha anët. Komuna jonë atëherë dhe jemi detyruar me i shti aty. Mbas disa dite, e kanë zbulu shkit që ka diçka aty dhe kanë shkuar i kanë marrë natën dhe i kanë asgjësuar”, tha ai.

Ndërsa se nga e kanë mësuar këtë zanat, ai thotë se këtë e kanë bërë me ndihmën e një shoku të tyre nga Suhareka, i cili ka punuar në ushtrinë ish jugosllave, diku në Serbi, në fabrikën e tyre. Ndërsa për të mbetet e dhimbshme që ata nuk kanë të paktën një foto të autoblindave, të cilët i punuan me duart e tyre. E për këtë ndihet keq. Madje thotë se po të kishin një foto, do ta dëshmonin para të gjithëve atë që kanë bërë, pasi që për shumë kë, kjo ka qenë dhe mbetet e pabesueshme.

Ndërsa thotë se dëshmitarë të kësaj ngjarje, gjatë ndërtimit të autoblindave kanë qenë vetëm krerë të lartë të UÇK-së, si HashimThaçi, Fatmir Limaj e Jakup Krasniqi, pasi që të tjerët nuk kanë pasur qasje sepse gjithçka që bëhej aty, është mbajtur në fshehtësi të madhe. E tërë kjo duke pasur parasysh rrezikun e gjithë asaj pune që ata bënin për t’u ardhur në ndihmë pjesëtarëve të UÇK-së, të cilëvenganjëherë u mungonte edhe armatimi.

“Na vjen shumë keq dhe shumë rënd. Për me pas një fotografi jemi në gjendje shumë me pagu, por s’ka. Jo se s’kemi pasur aparate. Kemi pasur mjaftë aparate. Por ka qenë kohë e rrezikshme, pasi që as vet familja nuk e ditshin se çka po punojmë ne, se le mo me dit dikush tjetër. Atëherë kanë mundur me ardh veç natën naj Fatmir Limaj, naj Hashim Thaçi. Ndokush prej njerëzve të mëdhenj të UÇK-së, Jaku Krasniqi apo dikush me na vizitu. Sepse nuk kemi lejuar njeri të hyjë aty absolut hiq”, thotë ai.

Por jo vetëm autoblinda. Në këtë punëtori janë punuar e rregulluar edhe armë të tjera si zola, kondak të pushkëve, e të gjitha llojet tjera të armëve.

Hoti ndjehet shumë i lumtur për punën që ai dhe shokët e tij kanë bërë gjatë luftës. Thotë se këtë e bëri me një dëshirë të madhe dhe pa kurrfarë interesi, vetëm e vetëm të jetë në shërbim të vendit të tij. Ndërsa, dëshirë e tij mbetet ndërtimi edhe i një autoblinde si të tri ato që i ndërtuan gjatë luftës, për ta vënë në shesh të Malishevës, me të cilin do ta dëshmonin punën që ata në atë kohë kanë bërë.

“Kemi biseduar me shokë disa herë që me maru edhe një dhe me pru në sheh të Malishevës me qit aty nalt dhe me dit që kemi bërë diçka, se s’po beson askush. Se popullata nuk e ka ditë atë punë atëherë. Sepse ka qenë roja me pushkë tre katër ushtarë, qëna kanë ruajtur....Pa e ba nuk kemi qare. Ne shokët që kemi punuar atëherë. Me financu vet dhe me punu vet. Me u ditë që kemi punu diçka, se nuk po beson kush, që kemi punu na sen. Popullata jo, shumica jo”, thotë ai.

Edhe Halil Gegaj nga fshati Novosellë, kujton atë kohë kur në punëtorinë e tij nuk ndalej natë e ditë duke punuar me qëllim që armët që përdorte UÇK-ja të ishin në gjendje të mirë. Me gjithë moshën e shtyrë që ka, nuk përton aspak t’i rrëfej ngjarjet e jetës së tij nga ajo kohë, kur ai riparonte armët e ushtarëve të UÇK-së.

“Gjatë luftës vetëm armë kam punuar, drunat, kondaktat e pushkëve, të automatave. Krejt çka kanë pasur me dru ia kam ndreq. Non stop për çdo ditë kam pasur punë që i prujshin ushtria me i ndreq, për çdo ditë. Sa kanë ndejt ushtria, vininnga tjera anë, i bijshin nga Llapushniku, nga Komorani, Lladroci, prej Luzhnice, prej Sodllari, prej gjithkah i bijshin e unë ia ndreqsha. Ata mbeteshin të kënaqur, ia ndreqsha mirë. Tjetër sen nuk kam punuar gjatë luftës, i ndihmojsha ushtrisë.. Nja 200, 300, a 400 ose më tepër i kam maru, pushkve 10 she , 20 tshe, të automatave, turli lloj automati që ua kam ndreq krejt drunat ia kam ndreq unë...I kanë marrë prej Shqipërisë, por kur ardhshin këtu do kondakta nuk kishin, do të thyer, do të këqij, e ia ndreqsha unë komplet me druna, me dorëza me kondakta. Me drunjët përpara që i ka me krejt, ia ndreqsha, ia ngjyrossha, vinin e i merrnin. Edhe të pushkëve qashtu 10 she 20 she, 48 she, ia kam ndreq non stop ushtrisë”, thotë Gegaj.

Ndërsa në punëtorinë e tij ai kishte punuar edhe me mina të cilave ua kishte ndërtuar sandëqetnga druri, në të cilët vendosnin minat. E këto punë, ai i ka bërë së bashku me djalin e tij, pasi që nevoja për riparim të armëve ishte e madhe .

Gegaj përveç që i ndihmonte ushtrisë, për të cilën riparonte armët, ai kishte lëshuar dhe shtëpinë e tij për UÇK-në, dhe se ai vet me familje flinte jashtë. Ndërsa thotë se ndihma përushtarët e Kosovës, asnjëherë nuk ka qenë e mjaftueshme. Pohon se do të ndihej shumë i gëzuar, po të arrinte ta shoh formimin e ushtrisë së Kosovës.

“Ndihem mirë, por është hesapi që tash nuk janë punët mirë, pasi që s’po na japin me kanë ushtria jonë. E atëherë kur ta marrim,jemi me të kënaqur me kanë ushtria jonë e Kosovës”, thotë ai.

Me gjithë moshën e shtyrë që ka, Gegaj, pohon se po të iu kishte dhënë sërish mundësia, ai prapë do ta bënte të njëjtën gjë. Ndërsa tani ai në këtë punëtori në të cilën herë pas here punon, kujton ditët e luftës, ku ai nuk ndalej dhe ndihej krenar për punën që bënte, në shërbim të ushtrisë dhe atdheut të tij.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat