Pas djegies së shtëpisë jetojnë në kontejner (Video)

Kosova

Pas djegies së shtëpisë jetojnë në kontejner (Video)

Më: 20 shtator 2014 Në ora: 23:43

Ka më shumë se një vit që 4 familje të komunitetit ashkali në Gjakovë po jetojnë pa kulm mbi kokë, të strehuar përkohësisht në disa kontejnerë në rrugë dhe në kushte të rënda për jetesë.

Me 19 korrik të vitit të kaluar, atyre u ishin djegur shtëpitë siç thonë ata pas një avarie në sistemin elektrik.

Ata thonë se kanë marrë disa here premtime nga pushteti i kaluar komunal dhe ai i tashmi për rindërtim të shtëpive, ndërsa vazhdojnë të jetojnë buzë gërmadhave të shtëpive të tyre të djegura e të rrënuara.

“Ankesë kemi bo në komunë. Kanë ardhë plot vizitorë e tonë premtime na kanë dhonë, domethanë premtimet kërkush nuk i ka kry, përjasht kjo Ministria e Kthimit me pak material ndërtimor i cili nuk mjafton as për një dhomë”, tha Fadil Podrimja, një nga kryefamiljarët që iu ka djegur shtëpia.

Sipas tij materiali që ka sjellë ministria për katër shtëpitë është i pamjaftueshëm, por megjithatë ai ende ka shpresa se do të bëhet diçka para dimrit që po afron.

“Na shpresa kemi po mos po na zgatin ma tepër se, qaty o qëllimi. Boll i bonëm nji vjet. Apet ky dimni si kaloj, apet o konë i butë mo si e dimë ton, po tash shka do t’bojmë se o ka vjen edhe ky tjetri”, tha Podrimja.

Ardhjes së dimrit i frikësohet edhe bashkëshortja e Fadilit, Gonja.

“Kur të bjen shi na bjen mrena, jena me fmi të vogjël, jena me tanat sikur po na shihni qeshtu qe”, tha ajo teksa mbante në duar njërin nga fëmijët e saj.

Edhe Nazmie Qorri, fqinje e familjes Podrimja tregon për kushte të rënda të jetesës në kontejnerë.

“Valla kushtet ma të fshtira se qëtu as kërkun nuk ka. Pa rroga, pa punë, pa kurgjo hiq, pa t’marrne kërkah vet i teti, kulëm mi kry jo, ku me shku. Në nxehtësi unë nuk muj se unë edhe jom e paralizune n’tru edhe n’zemër, edhe me yndyrë në gjak. Ditën shkoj anenaj n’shpi të kallne veç për fllad, gjithë ditën e lume pa u shtri hiç, s’kom ku me e bo nji pushim”, tha ajo

Të përballur me ankesat e këtyre familjeve, komunarët e Gjakovës thonë që t’u kenë ofruar ndihmë.

“Ju kemi ofruar këtyre shtëpive që në marrë veshje me Komunën e Gjakovës t’ju mundësohet strehim i përkohshëm me afat njëvjeçar për t’i strehuar në banesa, apo në vende ku ata do t’i gjejnë vetë, ndërkaq Komuna e Gjakovës do të marrë përsipër pagesën e qirasë”, tha Ali Tafarshiku zëdhënës i Komunës së Gjakovës.

Sipas tij në të njëjtën kohë komuna ka bërë kërkesë zyrtare në Ministrinë për Kthim dhe Komunitete që t’i ndihmojë Komunës së Gjakovës me një buxhet të caktuar që t’u mundësojë këtyre familjeve rindërtimin e shtëpive.

“Por megjithatë është për keqardhje se disa prej këtyre familjeve nuk kanë pranuar strehimin e përkohshëm dhe janë në gjendje që të qëndrojnë edhe në temperatura të larta në baraka ku aktualisht janë duke jetuar, por në të njëjtën kohë janë në gjendje që t’i rrezikojnë edhe fëmijët e tyre gjatë periudhës së dimrit”, tha Tafarshiku

Por Fadil Podrimja tha se nuk kanë pranuar ofertën e komunës, sepse në këtë mënyrë siç tha ai rindërtimi i shtëpive të tyre do të prolongohej pafundësisht.

Ndërsa Nazmije Qorri, thotë se janë shumë anëtarë të familjes për t’u futur në një banesë.

“Të ishim konë 2 veta a tre, kishim shku nëpër banesa, po ku me shku vlla na? Unë vetë e teta, ky vetë i shtati”, tha ajo.

Fadil Podrimja thotë se shkaktar i zjarrit që la katër familje pa rrymë është avaria në një shtyllë elektrike në oborrin e tij dhe në afërsi me shtëpitë tjera.

“Gjithmonë ka pasë probleme kjo shtyllë. Shumë herë e kemi lajmëruar. Gjithmonë ka pasë rrezik sidomos kur ka fryrë. Domethanë jemi tutë me nejt përfudni saj”, tha Podrimja.

Por, Guri Shkodra zëdhënës i KEDS-it mohon që shtëpitë e këtyre familjeve të jenë djegur si pasojë e shtyllës elektrike.

“Komisioni Profesional ka vizituar vendin e ngjarjes dhe është inspektuar dëmi dhe rrjeti elektrik dhe konstatimi profesional ka treguar që zjarri nuk ka ardhë si pasojë e instalimeve në përgjegjësi të KEDS-it. Luteni të keni parasysh që KEDS-i ka përgjegjësi për rrjetin deri ne pikën matëse, përkatësisht njehsor. Besohet që njëri nga banuesit për shkak te pakujdesisë ka shkaktuar zjarrin”, ka thënë Shkodra.

Familjet e dëmtuara thonë se kanë paditur KEDS-in për këtë çështje, ndërsa Shkodra tha se nuk ka njohuri për një gjë të tillë.

Urosh Staletoviq zyrtar për marrëdhënie me publikun në Ministrinë e Kthimit dhe të Komuniteteve , tha se këto familje të dëmtuara nga zjarri kanë marrë ndihmë në përputhje me procedurat e caktuara, të cilat sipas tij janë zbatuar në bashkëpunim me zyrtarët komunalë lidhur me atë se sa ndihmë duhet të dhurohet.

“Misioni i Ministrisë për Komunitet dhe Kthim është që t’u ndihmojë njerëzve dhe atë gjë momentalisht jemi duke e bërë, aq sa kemi mundësi në këtë moment”, tha Staletoviq.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat