Faleminderit Gjermani!

Kosova

Faleminderit Gjermani!

Më: 20 shtator 2014 Në ora: 08:53

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e falënderoi shtetin gjerman për ndihmën e madhe që i ka dhënë zhvillimit dhe integrimit të Kosovës. Ajo tha se, sot së bashku po shënohet 15-vjetori i bashkëpunimit gjermano-kosovar, një jubile që, sipas Jahjagës, shënon kapitullin më të rëndësishëm të historisë dhe të miqësisë ndërmjet dy popujve.

“15 vjet më parë vuri themelet mbështetja e pakursyer e popullit mik gjerman për vizionin e një Kosove në paqe dhe në liri, e një Kosove, shtet demokratik dhe anëtare e barabartë në familjen e popujve të lirë, duke u bërë kështu aleat kyç dhe partner strategjik i qytetarëve të Kosovës dhe avancimit të shtetit të tyre”, tha Jahjaga.

Këto komente presidentja Jahjaga i bëri gjatë një ceremonie të mbajtur në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, ku u shënua 15-vjetori i investimeve gjermane në Kosovë.

“Në çdo hap të konsolidimit të shtetësisë tonë, të konsolidimit të subjektivitetit tonë ndërkombëtar, të ndërtimit të një shteti me mundësi të pafundme për të gjithë qytetarët pa dallim, ndihma dhe mbështetja e ardhur nga miqtë tanë gjermanë ka luajtur një rol qenësor”, tha Jahjaga.

Andaj, derisa shënohen të arriturat dhe sukseset e përbashkëta në këto 15 vjet, presidentja i shpreh mirënjohjen më të thellë të qytetarëve të Kosovës dhe institucioneve të saj që besuan në vizionin e lirisë dhe të paqes.

“Institucionet e Kosovës sot, 15 vjet pas përfundimit të luftës që la pas pasoja të rënda, mbeten të përkushtuara për të parë drejt së ardhmes, duke ndërmarrë të gjitha reformat e nevojshme për ndërtimin e një shteti të së drejtës, ku mbizotëron rendi dhe ligji dhe një shteti të zhvilluar ekonomikisht që ju ofron qytetarëve të saj prosperitet dhe begati”, tha ajo. Jahjaga, po ashtu, falënderoi të gjithë përfaqësuesit e Shtetit gjerman në Kosovë, të cilët me punën dhe përkushtimin e tyre kanë kontribuar dhe vazhdojnë të kontribuojnë në ndërtimin e shtetit të Kosovës.

“Ne emër të të gjitha institucioneve të Kosovës, në emër të qytetarëve të Kosovës, urime për këtë 15-vjetor. Jam e bindur se do të festojmë dhe shumë vite të tjera të miqësisë sonë të përbashkët, të popullit të Kosovës dhe të popullit gjerman”, deklaroi mes tjerash Jahjaga. Ndryshe, tri ditë më parë, ambasadorja e Gjermanisë në Kosovë, Angelika Viets, tha se gjatë 15 vjetëve të kaluara, Gjermania ka investuar në Kosovë rreth 420 milionë euro, duke qenë kështu njëri nga shtetet që ka ndihmuar më së shumti në zhvillimin e vendit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat