Ish pjesëtarët e TMK-së, paralajmërojnë protesta dhe vetëvrasje!

Kosova

Ish pjesëtarët e TMK-së, paralajmërojnë protesta dhe vetëvrasje!

Më: 19 shtator 2014 Në ora: 18:27

Transformimi i Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK), në Forcë të Sigurisë së Kosovës (FSK), ka lënë të pa punë shumë pjesëtarë të TMK-së, si dhe pa pensione. Ata ankohen se shteti i ka harruar dhe se askush nuk po kujdeset për ta. Thonë se shumica e tyre janë veteranë të UÇK-së, që dhanë gjithçka për shtet.
Shqiprim Lika, përfaqësues i Këshillit Iniciues të Pjesëtarëve të TMK-së, tha për agjencite se të gjithë ata që kanë mbetur jashtë FSK-së kanë kapacitete profesionale për tu angazhuar në institucione të ndryshme të vendit. Sipas tij, atyre u është bërë e padrejtë.

“Kemi kapacitetet, përgatitje të mirë profesionale e mundemi me kontribu në forma të ndryshme, duke u nisur nga institucionet e sigurisë e deri tek shumë instanca tjera. Na është bërë e padrejtë. Sot e asaj dite këta djem vazhdojnë të jenë të papunë në mënyrë të padrejtë. Shifra reale e tyre është 287”, ka thënë ai.

Sipas tij, transformi ka “diferencim”. Madje, u shpreh se ka konkurruar në shumë vende të punës, por se asnjëherë nuk ka pasur ndonjë përparësi as nuk është marrë as në konsideratë.

Ndërsa, Safet Syla, drejtor i Zyrës për Çështjen e Trashëgimisë së Trupave Mbrojtëse të Kosovës, tha se me transformimin e TMK-së në FSK, 1463 pjesëtarë në atë kohë nuk kanë pasur fatin të jenë pjesë e kësaj të fundit.

“Qëllimi i Kosovës është që të formojë një Forcë të fuqishme të Sigurisë së Kosovës. Fatkeqësisht, 1463 pjesëtarë nuk e patën atë fat që të jenë pjesë e asaj force. Megjithatë, kemi arritur që 830 prej tyre t’i pensionojmë me 50-70 për qind, bazuar në ligjin për pensionimin e parakohshëm të ish pjesëtarëve të TMK-së. Përafërsisht rreth 500 i kemi të pa punë”, ka deklaruar Syla.

Syla pohoi se të gjithë këta pjesëtarë kanë të drejtë që t’i kërkojnë të drejta e tyre, por u shpreh që në Kosovë është problem që të sigurohet një vend i punës.

“Është shumë problem të gjendet një vend i punës për ish pjesëtarët e TMK-së, ndonëse ata kanë përgatitje profesionale”, ka thënë Syla, i cili nuk la pa përmendur edhe gjendjen emocionale dhe sociale për ish pjesëtarët e TMK-së.

“Gjendja emocionale shpirtërore dhe sociale e ish pjesëtarëve të TMK-së është shumë e rëndë. Janë kategoria më e ndjeshme e shoqërisë sonë në Kosovë. Ata kanë paralajmëruar protesta, edhe protesta të dhunshme, nëse nuk ndërmarrin diçka konkrete. Njëkohësisht kanë paralajmëruar edhe vetëvrasje. Ata kanë shpërndarë në kryeqytet, nëpër dyer të të gjitha institucioneve, fotografi me uniforma të ish pjesëtarëve të TMK-së - të varur duke bërë vetëvrasje”, ka thënë Syla.

Ndryshe, Trupat Mbrojtëse të Kosovës janë themeluar më 19 shtator të vitit 1999 dhe kanë funksionuar deri më 14 qershor të vitit 2009, kurse më 21 janar të po këtij viti u transformuan në Forcat e Sigurisë së Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat